Home AKTUALITET 10 librat më të shitur gjatë vitit 2020

10 librat më të shitur gjatë vitit 2020

260

Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për të gjithë për shkak të pandemisë së Covid-19. Ngujimi i gjatë në shtëpi i njerëzve e riktheu vëmendjen tek libri, si dhe pati një rritje të interesit tek letërsia e vlerave, kryesisht tek klasikët dhe autorë të rëndësishëm të letrave.

Ne duam të ndajmë me ju librat më të kërkuar nga lexuesit gjatë vitit 2020, ku kryesojnë botime të zhvillimit personal dhe të motivimit.

1.“Mendo dhe bëhu i pasur” nga Napoleon
Ky libër ka ndihmuar shumë njerëz të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre. Ai mbetet një shtysë e shkëlqyer motivuese për zhvillimin e intelektit personal. Napoleon Hill shpjegon se filozofia që mësohet në libër mund të përdoret për t’i ndihmuar njerëzit që të kenë sukses në të gjitha fushat dhe të bëjnë ose të arrijnë të jenë pothuajse çdo gjë që duan.

2-“Tatuisti i Aushvicit” nga Heather Morris
Një roman i bazuar në një histori të vërtetë nga Heather Morris! Një histori dashurie në një kamp përqendrimi: ajo e Lejli dhe Gita Sokolovit, jo vetëm që do t’i mbijetonte ditëve të vështira, por do të dokumentohej me detaje shumë vite më pas. Një histori e mbetur peng për shtatëdhjetë vjet me radhë.
 

3-“Gjuetari i balonave” nga Khaled Hosseini
Ky roman ka një fabul tronditëse e cila e bën këtë libër të paharrueshëm jo vetëm si një kronikë politike, por edhe si një rrëfenjë të thellë personale. Ndodh rrallë që një libër t’i përshtatet kaq shumë kohës dhe njëkohësisht të ketë cilësi kaq të lartë letrare. Ky roman dhe të gjithë romanet e tjera të Khaled Hosseini mbeten absolutisht më të shiturit për lexuesit shqiptarë.

4-“Baba i pasur, baba i varfër” nga Robert Kiyosaki
 “Baba i pasur baba i varfër” është një pikë fillestare për secilin që dëshiron të marrë kontroll mbi të ardhmen e tij financiare. Ky botim do t’ua rrëzojë mitin se keni nevojë për të ardhura më të mëdha për tu bërë i pasur; ta sfidojë besimin se shtëpia juaj është burimi financiar; t’u tregojë prindërve përse ata nuk mund të mbështeten në sistemin shkollor për të mësuar fëmijët e tyre rreth parasë; t’iu mësojë si t’i harxhoni burimet dhe shpenzimet financiare; t’iu udhëzojë si t’i mësoni fëmijët tuaj me paratë që të jeni më të sukseshëm financiarisht në të ardhmen. Robert Kiyosaki është një biznesmen, investitor, autor librash dhe mësues. Ai i mëson njerëzit që të bëhen milionerë. Për këtë arsye ata e quajnë mësues shkolle për milionerë…

5-“Dashuria në kohërat e kolerës” nga Gabriel Garcia Marquez
 Gabriel Garcia Márquez ka shkruar roman për dashurinë, për dashurinë me të gjitha fytyrat e saj: dashuri rinore, dashuri bashkëshortore, dashuri romantike, dashuri të mishit, dashuri, madje, edhe me shenjat e kolerës. Për më tepër, ai ka shkruar një vepër arti që rrezaton një humanizëm të atillë, që lexuesit do ta ruajnë thellë në zemër si diçka të shtrenjtë dhe do ta kujtojnë sa të kenë jetë në këtë botë.

6-“Murtaja” nga Albert Kamy
Përmes kësaj vepre mësojmë më shumë për çeshtje thelbësore etike sesa ato që kanë të bëjnë me titullin, të cilat përkuan edhe me dramën e Covid-19 gjatë vitit që lamë pas: E keqja në botë vjen pothuajse gjithmonë nga padija, teksa vullneti i mirë, nëse nuk është qartëpamës, mund të shkaktojë po aq dëme sa edhe ligësia. Njerëzit janë më “tepër të mirë sesa të ligj, por në të vërtetë çështja nuk qëndron aty. Njerëzit janë më pak apo më shumë të paditur dhe kjo është ajo që quhet virtyt ose ves, ndërsa vesi më dëshpërues është ai i padijes që pandeh se i di të gjitha dhe atëherë i jep vetes të drejtën për të vrarë. Shpirti i vrasësit është i verbër dhe as mirësi të vërtetë dhe as dashuri të bukur nuk mund të ketë nëse mungon e gjithë qartëpamesia e mundshme.

7-“Arti i brishtë i not giving a f.ck” nga Mark Manson
Në këtë guidë për zhvillimin personal, blogeri shumë i njohur na këshillon që të përmirësohemi përmes përballimit të vështirësive. Prandaj ky libër përcjell mesazhin e fort: “Ik, pirdhu pozivitet!”
Manso na këshillon të mësojmë kufizimet tona dhe t’i pranojmë ato. Ai thotë se ky është burimi i vërtetë i forcës. Kur përqafojmë frikën, fajet dhe pasiguritë tona – kur nuk u largohemi dhe nuk u shmangemi të vërtetave të dhimbshme, por përballemi me to – mund të gjejmë guximin dhe vetëbesimin, të cilat i kërkojmë me aq dëshpërim.

8-“Sekreti” nga Rhonda Byrne
Në këtë libër do të mësoni si ta përdorni sekretin në çdo aspekt të jetës – me paratë, pasurinë, lidhjet, lumturinë dhe në çdo ndërveprim që keni në botë.
Autorja Rhonda Byrne ka goditur në shenjë, duke përmbushur thelbësisht anën shpirtërore të lexuesit, prandaj ai konsiderohet si një Sekret i Madh që zbulohet pareshtur nga miliona lexues edhe sot.

9-“Friend Request” nga Laura Marshall
Romani i Laura Marshall është konsideruar si trilleri më i bukur i vitit dhe pa frikë është sot thrilleri më i kërkuar edhe nga lexuesit shqiptarë. Për këtë arsye vazhdon të ketë kërkesa të shumta edhe sot, gati dy vjet pas hedhjes në qarkullim nga shtëpia botuese Living.

10-“Të bëhesh” nga Michelle Obama
Nuk ka një biografi të dytë që të jetë kaq e kërkuar sa “Të bëhesh” e Michelle Obama. Ky libër kërkohet jo vetëm nga lexueset femra, por edhe nga meshkuj dhe çuditërisht ka kapërcyer paragjykimet se ka një kosto të lartë. Librat me vlera i kërkon lexuesi shqiptarë pavarësisht çmimit apo pengesave të tjera.
Në këtë libër, për herë të parë, Michelle Obama përshkruan jetën e saj, që nga fëmijëria, raportet me prindërit, fillimet e martesës, vështirësitë për të gjetur një ekuilibër mes karrierës, familjes dhe ngjitjes së vrullshme të të shoqit në politikë. Na zbulon debatet e tyre lidhur me mundësinë për të konkurruar për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe na rrëfen për popullaritetin që përjetuan dhe për kritikat që morën përgjatë fushatës elektorale. Me finesë, sens humori dhe një sinqeritet të pazakontë, Michelle Obama përshfaq gjithë jetën e një familjeje që, krejt befasisht, u ndodh nën dritat e projektorëve dhe përballë gjithë botës, si dhe tetë vitet më domethënëse në Shtëpinë e Bardhë, ku ajo e njohu më mirë vendin e saj, por edhe vendi i saj e njohu më mirë atë.
Becoming – Të bëhesh, na shoqëron në një udhëtim nga kuzhinat modeste të Jovas te sallat e ballos në Buckingham Palace, nëpër çaste dhimbjesh therëse dhe provash qëndrueshmërie këmbëngulëse, duke na zbuluar shpirtin e një gruaje të veçantë dhe revolucionare, e cila lufton për t’u ndjerë mirë me veten, plotësisht e zonja për të vënë gjithë forcën dhe zërin në shërbim të idealeve më të larta.