Kjo e shtunë shënon 12-vjetorin e ngjarjes tragjike të 2011 ku katër qytetarë u qëlluan për vdekje teksa protestonin kundër qeverisë Berisha në sheshin Bulevardin “Dëshmorët e Kombit ” në Tiranë.
Në këtë demonstratë, e cila u organizua nga Partia Socialiste u qëlluan për vdekje Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj.
Aktulisht në Prokurorinë e Tiranës është vetëm një çështje, konkretisht vrasja e Aleks Nikës. Predha, e cila i mori jetën të riut nga Lezha është dërguar në Itali për ekzaminim.
Vrasja e tij është ende pa autor, ndërkohë mazhoranca dhe familjarët e Aleksit kërkojnë që çështja t’i kalojë për hetim Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Fax News një ditë më parë realizoi një intervistë me xhaxhain e Aleksit, i cili theksoi se deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim me SPAK, por ai inkurajoi këtë institucion të mos i trembet politikës dhe të hedhë dritë mbi vrasjen e nipit të tij në protestën e 21 janarit 2011.
Ai theksoi se SPAK duhet të thërrasë ish-kryeministrin Sali Berisha, kryeministrin aktual Edi Ramën dhe ish-shefin e Gardës në atë kohë Andrea Prendin, të cilin e konsideroi si “strumbullarin” e vërtetë të vrasjes së qytetarëve në demonstratën e përgjakshme.
“SPAK ta shqyrtojë me objektivitet dhe të mos i trembet politikës. Ata ndoshta nuk janë emëruar nga politika, por prapë janë të varur indirekt nga politika dhe ata duhet ta hetojnë pa frikë se e kanë mbrojtjen e shtetit tani. Të thërrasin dhe Berishën dhe të arrestojnë dhe Andrea Prendin, që ai është strumbullari i këtyre goditjeve dhe të thërrasin edhe Ramën dhe të gjitha ata që e kanë organizuar demonstratën”, tha Mark Nikaj, xhaxhai i Aleksit.
Gjithashtu, Mark Nikaj theksoi se vrasja e 21 janarit është vrasje shtetërore dhe drejtësia duhet të flasë pa humbur kohë, pasi sipas tij ka prova të mjaftueshme për këtë.
Gjatë ditës së sotme priten të mbahen homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kujtim të katër të vrarëve.
(Nijazi Mema/ Fax Web)