Policia e Krujës ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me shpërthimin me lëndë plasëse të ndodhur në oborrin e banesës së shtetasit Arben Pëllumbi. Policia bën me dije se në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar 8 persona, por pa dhënë detaje mbi identitetin e tyre.
Burime bëjnë me dije se mes të shoqëruarve është dhe një i afërm i Pëllumbit.
Njoftimi i plotë i policisë: Krujë/Informacion paraprak
Më datë 18.04.2021, rreth orës 23:00, në oborrin e banesës së pabanuar të shtetasit A. P., ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Në ambientet e Policisë janë shoqëruar disa shtetas të dyshuar për këtë ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e disa konflikteve të ndodhura më parë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kujtojmë se brenda pak muajve, Pëllumbit i është vendosur disa herë eksploziv. Hera e parë ishte në 2 tetor të vitit të kaluar, por autorët jo vetëm që nuk u kapën, por goditën sërish në 9 mars të këtij viti, pak javë më parë.