Spektakël pa gola në Ballsh! Bylisi dhe Tirana e nisën sezonin e ri të Abissnet Superiore me një barazim 0-0, në një sfidë që nuk i kurseu emocionet, por i mungoi finalizimi. Në “Adush Muça”, përballja dhuroi tension, raste e kartona, por jo rrjeta të tundura.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku vendasit kërcënuan të parët me Mustafën në minutën e 4-t dhe Uallison në 41-tën, ndërsa bardheblutë iu afruan golit me Ernest në të 11-tën. Pjesa e parë u ndez në minutat e fundit, ne të 42-ën, kur Patsatsia tronditi shtyllën me një goditje të fuqishme, duke humbur rastin më të mirë për kryeqytetasit.

Fraksioni i dytë foli më shumë për Bylisin, që shtyu lojën drejt portës së Tafasit me Malomon në të 58–n dhe Përndrecën në të 79-ën, por portieri bardheblu ishte në lartësinë e duhur. Tirana tentoi në kundërsulm me Fernandez në të 83-ën, por pa saktësinë e nevojshme për të bërë diferencën.

Në minutën e 90+4’, gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq sulmuesin Mustafa, pas një goditjeje ndaj Soler, vendim që erdhi pas konsultimit me VAR. Në fund, gjithçka u mbyll në barazim pa gola, me nga një pikë për secilin ekip në ndeshjen hapëse të sezonit.

Kuriozitet i kësaj sfide ishte prania e plot 15 lojtarëve të huaj titullarë, që i dhanë ngjyra ndërkombëtare duelit, por jo efikasitet në shënjestër. Bylisi mori më shumë inisiativë, Tirana tregoi eksperiencë, por rezultati final mbeti i ngrirë: 0-0.

© SYRI.net