Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar qytetarët në 15-vjetorin e shtetësisë, duke thënë se shteti i Kosovës është shembull i mirë i demokracisë “në këtë rajon problematik siç është Ballkani”.
Ai i ka bërë këto deklarata në një mbledhje festive të Qeverisë për 15-vjetorin e shtetësisë së Kosovës.
“Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, dhe për një jetë më të mirë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Kosova është projekt i paqes, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe.
“Nëse në vendet tjera institucionet japin model dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre”.
Ai ka përmendur dy përgjegjësi, që sipas tij, duhet t’i ketë parasysh secili qytetar i Kosovës: trashëgiminë dhe krijimin e një vendi më të mirë për gjeneratat e reja.
“Sot në këtë 15-vjetor të pavarësisë është vendi që të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë, dhe është fjala për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë, minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese, të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”.
Kosova është nën trysni gjithnjë e më të madhe për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.
Për 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.
Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera. REL