Modeli i Shqipërisë nuk është model për Europën. Kjo sepse thjesht nuk është e ligjshme. Të paktën nuk është sipas standardeve evropiane”. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas mbërritjes në Shëngjin të anijes së parë me refugjatë të cilët u kapën në det të hapur dhe kishin për destinacion brigjet italiane.
BE njoftoi zyrtarisht se kjo metodë nuk është në përputhje me rregullat e komunitetit europian.
Mëngjesin e kësaj të mërkure (16 tetor) zbarkoi në portin e Shëngjinit anija “Libra” e marinës italiane me 16 refugjatë në bord, nga Egjipti dhe Bangladeshi. Ata u trajtuan fillimisht në qendrën e pritjes në Shëngjin ku sipas procedurave duhet të qëndrojnë rreth 8 orë.
Ata vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta. Refugjatët e mbërritur në tokën shqiptarë janë kapur në det të hapur nga anijet patrulluese italiane. Anija Libra monitoron ujërat dhe imbarkon emigrantët e paligjshëm, të cilët sipas marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Italisë, sillen në Shëngjin dhe më pas dërgohen në qendrat e Gjadrit, për të pritur më pas përgjigjen për kërkesat e tyre për azil.
Gjithashtu, në qendrën e Gjadrit është ngritur edhe një paraburgim dhe është caktuar kontigjent oficerësh dhe policësh italianë për ruajtjen, kujdesin dhe procedurat për çdo rast.
Ky i sotmi ështe operacioni i parë dhe pritet të vijojë me grupet e tjera.
(BalkanWeb)