Prokuroria përfundoi ditën e sotme procesin e verifikimit për kryebashkiakun socialist të Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili rezulton që të jetë i dënuar me 3 vite burg në Greqi.
Rasti i Ismailajt u denoncua nga Partia Demokratike, përmes sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi, dhe duket se pas verifikimit të prokurorisë, rezulton që pretendimi i demokratëve të ketë qenë i drejtë.
Ismailaj është dënuar në Greqi për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje), gjë të cilën e kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit.

Kryebashkiaku socialist i Mallakastrës Qerim Ismailaj i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, ku në garë PS ishte thuajse e vetme nuk është i vetmi kryebashkiak në listën e të denoncuarve nga Partia Demokratike duke i kushtuar mandatin pas procesit të verifikimit nga prokuroria.

Denoncimet nga Partia Demokratike ndaj kryebashkiakëve për rekorde kriminale, u bënë dhe për disa kryebashkiakë të tjerë që nga viti 2019, të cilët dorëzuan mandatin apo u shkarkuan nga detyra.

Ish-kryebashkiaku socialist i Vorës Agim Kajmaku u arrestua më 7 korrik 2020 pasi ishte shpallur në kërkim që në 2019 për akuzat: “Falsifikim të formularëve”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.
Pas akuzave të Partisë Demokratike, se ai ishte gjykuar për falsifikim parash në shtetin fqinj të Greqisë nën identitetin Jorgo Toto, policia bëri krahasimin e shenjave të gishtërinjve. Përgjigjja nga laboratori shkencor konfirmoi se gjurmët e Kajmakut ishin të njëjta me identitetin tjetër, ndërsa gjykata vendosi “arrest me burg”.

Valbona Sako ish-kryebashkiake e Durrësit u akuzua nga Partia Demokratike pas shpalljes së kandidaturës për zgjedhjet e qershorit të 2019 si e përfshirë në fenomenin e shitblerjes së votës dhe intimidimit të biznesit. Ajo dha dorëheqjen më 1 dhjetor të 2019, por për asnjërën nga këto akuza. Deklarata e saj pak ditë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin dhe kryesisht Durrësin se ‘ishte e kënaqur me 51 viktima” u bë virale duke ngjallur zemërim në opinionin publik duke e detyruar kryebashkiaken të lërë zyrën e saj pak muaj pas betimit.

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme nisi hetimin e thelluar edhe ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra në 31 janar 2020.
Gurra u akuzua për falsifikimin e vulës së Drejtorit të Ujësjellësit, fallsifikim i vulave,stampave ose formularëve në Librazhd dhe për të nisi një process hetimor por nuk u arrestua asnjëherë edhe pse u shpall në kërkim nga Policia.

Mark Babani kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës u akuzua nga Partia Demokratike në 10 shtator 2019 se kishte fshehur ndalimin, denimim dhe dëbimin nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Ai u akuzua gjithashtu se ka qenë pjesë e një grupi kriminal në Siçili, që merreshin me vjedhje automjetesh dhe se ishte arrestuar më datë 4 Prill 1994 në zonën e Siçilisë me emrin e rremë Marq Babaj.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i vuri në dispozicion prokurorisë të gjithë informacionin që disponononte Partia Demokratike për kryebashkiakun e Vau të Dejës , që rezultonte me të kaluar kriminale. Babani vijon të ushtrojë mandatin e marrë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Agron Malaj, ish-kryebashkiaku i Matit pas akuzave të PD-së se ishte subjekt i dekriminalizimit u hetua nga Prokuroria e Përgjithshme e cila në qershor të vitit të shkuar mbylli hetimet duke rrezuar kërkesën e Partisë Demokratike. Po sipas njoftimit të prokurorisë u hetua dhe u gjetën fakte se Malaj kishte qenë i dënuar me 10 muaj burg për ‘armëmbajtje pa leje’ në vitin 1999 nga gjykata e Matit. Organi i akuzës sqaron se veç dënimit të vitit 1999 për të cilin edhe PD ka kërkuar heqjen e mandatit te tij, rezulton se në vitin 2019 ka pasur një kallëzim ndaj tij, por prokuroria e ka pushuar.
Po ashtu,  ai u hetua dhe për vrasjet e 21 janarit, sepse Agron Malaj ishte komandant seksioni i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës në protestën e 21 Janarit. Ai ishte një ndër 10 oficerët e shkarkuar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kur sapo ky i fundit mori detyrën. 10 oficerët ishin pjesëtarë të “grupit të zjarrit”, të cilët qëlluan mbi protestuesit në tubimin ku mbetën katër qytetarë të vrarë.

Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 mori pjesë vetëm mazhoranca socialiste dhe disa parti të vogla, ndërsa opozita refuzoi pjesëmarrjen si vazhdë e aksionit politik të djegies së mandateve të deputetëve. Voltana Ademi e cila është e vetmja kryebashkiake e djathtë që vazhdon të mbajë detyrën, në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive Shqipëri depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për cilësimin si të pavlefshme të këtyre zgjedhjeve. Gjykata më e lartë në vend ka pranuar ta marrë në shqyrtim këtë padi, ndërsa vendimi i saj do të sqarojë pas 2 vitesh nëse shqiptarët u qeverisë nga kryebashkiakë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, ose jo.