Një 27-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Tepelenës pasi ishte shpallur në kërkim, pas një konflikti me dy të plagosur në zonën e Saukut tre ditë më parë.
Uniformat blu bëjnë me dije se shtetasi M.XH, banues në Tiranë, fillimisht nuk ka pranuar që ti bindet urdhërit të policisë për të ndaluar, dhe pas ndjekjes nga ana e bluve, është vënë në pranga.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Gjirokastër
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja, në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë të mundur kapjen e shtetasit M. Xh., 27 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Ky shtetas është shpallur në kërkim nga Komisariati Nr. 1 Tiranë, pasi në datën 27.03.2022, në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, Tiranë, së bashku me 3 shtetas të tjerë (të arrestuar më parë) janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe si pasojë janë dëmtuar me mjete të forta dy prej këtyre shtetasve.
Pas shenjës për ndalim nga shërbimet e Policisë, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në dy pikat e kontrollit, shtetasi M. Xh. nuk e ka ndaluar automjetin e tij dhe është larguar me shpejtësi.
Menjëherë i janë vënë në ndjekje shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, të cilat pas disa minutash bënë të mundur kapjen e tij.
Shtetasit M. Xh. iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit Nr. 1 Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.