Vdekja e Berlusconit ka tronditur edhe botën e futbollit, pasi kavalieri italian drejtoi për më shumë se 3 dekada edhe ekipin e Milanit.

Njoftimi erdhi nga spitali “San Raffaele”, ku ai ishte shtruar që nga e premtja për t’iu nënshtruar “testeve të planifikuara” në lidhje me leuçeminë kronike mielomonocitare, nga e cila vuante prej disa kohësh: Silvio Berlusconi ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.

Rreth orës 10, në spital mbërritën vëllai i tij Paolo, fëmijët e tij Marina, Barbara dhe Eleonora. Presidenti historik i Milanit, të cilin e ngjiti në krye të botës, pasi e shpëtoi nga falimentimi, Berlusconi, dy vite më parë ishte bërë numri një i Monza, skuadër të cilën e ngjiti në Serie A.

Ai ishte kryeministër i Italisë, pasi themeloi “Forza Italia”, duke fituar zgjedhjet në vitin 1994, pas një jete si sipërmarrës që filloi me “Edilnord” dhe më pas krijoi “Mediaset”, një kompani që iu dha punë miliona italianëve.

FILLIMET – Fillimi i rritjes së sipërmarrjes së Berlusconit përkon me lindjen e “Edilnord” më 1968, pastaj ngrihet menjëherë në orbitë me ndërtimin e “Milano 2”. Gjashtë vite më vonë filloi aventura me televizionin, me rrjetin e parë privat italian, “TeleMilano”. Në vitin 1976 mori emrin e tij aktual, “Canale 5”.

Qasja e parë në botën e sportit përkon me marrjen e të drejtave për të transmetuar “Mundialito”, që sheh Milanin, Interin, Santos, Feyenoord dhe Penarol në fushën e “San Siro”. Më 1982, grupi u zgjerua me blerjen e “Italia 1” nga botuesi Edilio Rusconi dhe “Rete 4” më 1984 nga grupi botues “Arnoldo Mondadori Editore” (në atë kohë kontrollohej nga botuesi Mario Formenton).

MILANI – Më 20 shkurt 1986, Berlusconi e shpëtoi Milanin nga falimentimi, duke e hequr nga humnera në të cilën kishte rënë me Giussy Farina. Me të në krye, Milani fitoi 8 tituj të Serie A, një Kupë Italie, 7 Superkupa Italiane, 5 Liga Kampionësh, 2 Kupa Ndërkontinentale, 5 Superkupa Europiane dhe një Botëror për Klube. Pra, fitoi gjithsej 29 trofe zyrtarë në 31 vite.

POLITIKA – Më 1994 ai themeloi “Forza Italia” dhe fitoi zgjedhjet politike në mars të atij viti, duke u bërë Kryeministër. Kjo ishte e para nga tri qeveritë që ai kryesoi, e cila do të pasohej nga ato të viteve 2001-2006 dhe 2008-2011. Në vitin 2003, ai ishte gjithashtu president i Këshillit Evropian.