Në truallin ku ndodhet selia qëndrore e Partisë Demokratike ka një projekt për ndërtimin e 3 kullave. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan Blendi Fevziu, i cili tha se ka marrë konfirmim nga Bashkia e Tiranës.

Sipas tij projekti është dërguar në bashki nga vetë pronarët e tokës.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i ftuar në Opinion, mohoi që të ketë dijeni dhe deklaroi se Partia Demokratike nuk ka asnjë informacion për projektin e kullave.

Blendi Fevziu: Është një çështje që ka qarkulluar së fundmi që lidhet me një projekt për ndertimin në zonë ku është Partia Demokratike, por jo vetëm PD. Unë kam dosjen e plotë, nuk kam vetëm një fotografi, kam arritur ta siguroj sot, kam bërë një konfirmim me Bashkinë e Tiranës që pretendon që ky projekt ndodhet prej disa muajsh në Bashkinë e Tiranës, i dërguar nga pronarët që kërkon të ndërtojë 3 kulla, quhen kullat e lirisë. Kam konfirmim zyrtar dhe po ta them tani që ky projekt ka shkuar në bashki. Keni ju të dhëna për këtë projekt?

Gazment Bardhi: Zero të dhëna deri ditën kur u përdor si mashtrim publik nga z.Berisha që akuzonte PD që do ndërtonte kulla. Kemi zero informacion. Ju nxisim të verifikoni kush është porositësi i këtij projekti dhe në çfarë faze ndodhet. Selia e PD do vijojë të qëndrojë seli qëndrore e PD.  

Blendi Fevziu: Koha e projektimit është 2018-2021, bëhet fjalë për 82,000 m2 në qendër të Tiranës. Prej 1 viti ka mbërritur në bashki. Projekti është që në 2018-ën, kush investon për një projekt qindra-mijëra dollarë kur është i bindur që Partia Demokratike nuk do tërhiqej prej aty? Dhe mbi të gjitha mban edhe emrin “Kullat e Lirisë”, si “Shtëpia e Lirisë” siç quhet selia e PD.

Gazment Bardhi: Do të duhet të pyesni Erion Veliajn dhe Sali Berishën. Unë kam zero informacion për këtë çështje. Partia Demokratike ka zero informacion, nisur nga fakti që ky qenka një projekt që ndodhet në Bashkinë e Tiranës, sipas asaj që ju pohoni dhe fakti që në një ditë të zezë për Sali Berishën nxirret në publik.

Blendi Fevziu: Nënkryetari i Bashkisë më thonë tani se ka thënë se projekti është në Bashki dhe ka kushtuar 1.4 milionë Euro. Unë e dija 680,000 por mesa duket kam gabuar.