Vala e re e pandemisë ka rritur sërish mungesat në punë. Prej dy vitesh kompanitë kudo në botë dhe në Shqipëri po vuajnë pasojat e kësaj situate në produktivitetin e tyre. Si e gjithë situata pandemisë ka ndryshuar thellësisht strukturën e tregut të punësimit në vend.

Nga Deada Hyka

Në ambientet e një banke në Tiranë radha është e shtuar. Në sportel është vetëm një punonjësve, ndërsa tjetra është bosh. Shefja e degës përpiqet të menaxhojë situatën, duke u justifikuar te klientët me mungesën e punonjësve për shkak se janë të infektuar me Covid-19.

Numri i punonjësve që njoftuan se ishin të sëmurë në dy vitet e fundit arritën nivelin më të lartë në dy dekada, sipas raportimeve të ndryshme të kompanive në vend. Ky fenomen, sigurisht, i atribuohet pandemisë. Kërkesat për leje vinin nga individë qoftë të infektuar vetë, ose ata që kërkonin leje për t’u përkujdesur për të afërm të infektuar.

Ndërsa në botë, mesatarisht 1.5 milionë njerëz në muaj humbin punën për shkak të COVID, në Shqipëri tendenca duket e ngjashme, duke qenë se biznese në vend raportojnë se kanë probleme me stafin gjithnjë e më të papranishëm, duke marrë në konsideratë infektimet e herëpashershme.

“Sigurisht, karantinat dhe sëmundjet për shkak të virusit shkaktuan mungesa në rritje, siç u shndërruan edhe në sfidë për prindërit që punojnë, të cilët e gjetën veten duke luajtur rolin e mësuesit, punonjësit të kujdesit për fëmijët dhe punonjësit”, thotë Erald Pashaj, kreu i EPPC Albania and Kosovo. “Të gjithë këta stresorë ka të ngjarë të shkaktojnë tejlodhje edhe te shumë punonjës, gjë që gjithashtu çon në mungesë”, -shton ai.

Dritan Mezini, kreu i DM Consulting dhe portalit Duapune.com, thotë për “Monitor” që e gjithë situata pandemisë ka ndryshuar thellësisht strukturën e tregut të punësimit në vend.