Në komunikimin online për gazetarët kryeministri Rama foli dhe për keqkuptimin që ishte bërë mbi deklaratën se në Zvicër bëje 3 vite burg nëse gradoje kondicionerin mbi 19 gradë.

Ambasada zviceriane e mohoi një gjë të tillë, ndërsa kryeministri tha se ai mund të kishte rënë pre e informacioneve të rreme e jo të sakta.

“Nuk e kam dëgjuar këtë keqkuptim por nuk ka rëndësi. Mbase mund të jetë një shembull që vjen si rezultat i një keqkuptimi, mbase kam rënë dhe unë viktimë e një informacioni jo të plotë dhe të saktë, kërkoj ndjesë.

Jemi në një kohë të tillë, por kjo nuk do të thotë aspak që bota nuk është e mbushur me masa të tilla shtrënguese.

Është plot e përplot me masa të tilla shtrënguese. Unë do ta verifikoj dhe do ta marr vesh saktësisht se si qëndron rasti por mund të shkoni të shikoni Gjermaninë, mund të shkoni të shikoni Zvicrën, mund të shkoni të shikoni Britaninë e Madhe.

Mund të shikoni si vende të zhvilluara që nuk iu shkon mendja po paraqesin para popujve të tyre planet e shkurtimeve të energjisë, të kufizimeve të furnizimit me energji, gjë që ne nuk kemi dëshirë ta bëjmë dhe nuk kemi në plan për ta bërë.

Mund të na vijë nevoja, do ta ndajmë me ju por sot për sot nuk kemi në sirtar ndonjë plan që të dalim e t’iu themi “Kaq orë do shkurtohen,” tha ai.