30 artikujt kryesorë të shportës së mallrave, ku përfshihen nafta dhe gazi, më datën 15 mars u shitën 20% më shtrenjtë se në janarin e këtij viti.
Lista e çmimeve në muajin janar ka si referencë matjet e INSTAT të disponueshme për publikun në web-in zyrtar, ndërsa çmimet e datës 15 mars u morën nga pikat e pakicës në kryeqytet, që kanë reflektuar nivelet më të ulëta të rritjes.Sipas listës së çmimeve bashkëngjitur, rritjen më të madhe në vlerë e patën yndyrat, mielli dhe nënproduktet e tij, hidrokarburet etj.
Çmimet e vajit dhe gjalpit kishin përqindjet më të larta të rritjes. Një kg gjalp u shit dje me 1,000 lekë nga 682 lekë në janar, me një rritje 46.6%, ndërsa çmimi për një litër vaj u rrit me 40% duke shkuar në 320-330 lekë për kg nga 228.1 lekë që ishte në janar 2022.
Çmimet e yndyrave u rritën me shpejtësi pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë. Vendet në konflikt kryesojnë listën e eksporteve të vajit dhe lëndës së parë për këtë produkt.
Të përfshira në luftë dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë sollën rritje të menjëhershme të çmimeve në produktet e vajit. Ndërsa çmimi i gjalpit ka si shkak kryesor faktorë të brendshëm që janë krijuar nga kostot e larta të energjisë dhe karburanteve në fabrikat e përpunimit të qumështit.
Për shkak se shumë prej tyre e blejnë energjinë në treg të lirë, aktualisht një kilovat energji blihet 4-5 herë më shtrenjtë se vitin e kaluar në këtë periudhë.