I dha fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit Covid-2, familja e Xhino Koçës përkujton pasditen e sotme djalin me portretin e qeshur nga qyteti bregdetar i Durrësit.
Ditën e sotme, ai do të festonte 30-vjetorin e lindjes dhe në këtë ditë, familja e tij ka vendosur ta kujtojë në një mënyrë të veçantë.
Rreth orës 17:00 u nisën drejt qiellit 30 pëllumba dhe 30 tullumbace të bardhë, në mënyrë simbolike për 30 vjetorin e munguar të Xhinos.
Megjithëse mungon fizikisht prej disa muajsh, Xhino ishte aty, mes familjes, shokëve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër.
Këtë vit është ditëlindja e 30-të e djalit tonë. 30 pëllumba dhe 30 tullumbace të bardhë do të lëshohen drejt qiellit, duke u kthyer në simbol të përqafimit tonë për Xhinon”, shkruante mes dhimbjes e ëma e tij, stilistja e njohur durrsake, Lira Koça, ndërsa lajmëronte në rrjete sociale ceremoninë që u zhvillua sot tek “Sfiksi”.
Xhino Koça ishte shtruar në spitalin e Sanatoriumit pas infektimit me Covid-19, por vendosi që t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit.
Arsyet që e shtynë të merrte këtë veprim kanë mbetur ende mister, pasi ai ishte drejt shërimit nga virusi.
(R.G/Faxweb.al)