Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca plenare për “30 qershorin” ku do të diskutohen opinionet e Komisionit të Venecias.
Pritet që trupa gjykuese të marrë vendimin final për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, nëse ishin apo jo legjitime.
Ndërkohë kryetarja e kësaj gjykate, Vitore Tusha gjatë fjalës së saj është shprehur se “Kushtetuesja” ka konstatuar rënien e shkakut të pezullimit dhe vendosi zhvillimin e seancës.
Vitore Tusha, kryetare: “Gjykata Kushtetuese, ka konstatuar rënien e shkakut të pezullimit dhe vendosi zhvillimin e seancës. Në këtë moment të gjithë palët kanë marrë kopjen e Opinionit. Në vijim të procesit ku parashtrojmë që keni të drejtë, të jepni deri në 10 minuta, opinion mbi Opinionin e Venecias.”
Përfaqësuesi ligjor i shoqatës së bashkive, Jordan Daci duke folur për “Venecia” është shprehur se opinioni i tyre nuk është detyruese dhe ka pasur kontradita.
“Ky opinion nuk është detyrues për Gjykatën Kushtetuesen në tërësi Opinion ka pasur dhe kontradita. Referuar ligjit, Gjykata Kushtetuese duhet ta gjykoj çështjen. Gjykojmë që Komisioni nuk e ka të saktë, se nuk ka kompetencë për të gjykuar 30 qershorin. Nëse nuk e ka Gjykata Kushtetuese, kush e ka? Si mund të shkohet në Strasburg nëse çështja nuk kalon në Kushtetuese?” ka argumentuar Jordan Daci.
Kujtojmë se Kushtetuesja iu drejtua “Venecias” për të marrë një opinion lidhur me këtë çështje. Këto të fundit me një përgjigje të disa ditëve më parë lanë në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit duke argumentuar se GJK nuk ka kompetence vlerësimin e vlefshmërisë së tyre.
Në opinionin paraprak të ekspertëve të Venecias thuhet se bojkoti i partive politike siç ndodhi me PD dhe LSI nuk përbën arsye ligjore që të vihet ne pikëpyetje periodiciteti i zgjedhjeve që sipas kushtetutës mbahen çdo 4 vjet.