Policia ka dalë më një njoftim të dytë në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Vorë, ku mbetën të plagosur 2 persona. Policia sqaron se shtetasi Ergest Hoxha ka tentuar të vras me thikë vëllain e oficerit të ushtrisë, Ermal Muzhaqi. Ky i fundit ka ndërhyrë duke e plagosur me armën e shërbimit.

Sakaq vëllai i tij Kidi Muzhaqi, që u plagos nga Hoxha, ndodhet në spital, bashkë me këtë të fundit.

Njoftimi i policise:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, në Vorë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës ndaluan shtetasit:

– E. M., 27 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të dy banues në Vorë.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë ngjarje dyshohet se ditën e djeshme, rreth orës 12:20, në Vorë, shtetasi E. H. i është afruar automjetit me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjerë shtetasit K. M. dhe B. A., dhe për motive ende të paqarta, ka tentuar që të vrasë me thikë shtetasin K. M. Në këtë moment ka ndërhyrë drejtuesi i automjetit, shtetasi E. M. (oficer ushtrie), i cili ka plagosur me armën e shërbimit, shtetasin E. H.

Shtetasit K. M. dhe E. H. ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës thikë, të përdorura në këtë ngjarje, si dhe aparatet celulare të shtetasve të përfshirë.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për përcaktimin e shkakut të rastit.