Një 34-vjeçar në Sarandë është arrestuar nga policia pasi theu masën e sigurisë arrest shtëpie dhe kërcënoi se do të vriste ish-bashkëshorten dhe bashkëjetuesin e tij.
Policia mori informacion dhe parandaloi ngjarjen e rëndë dhe u nis menjëherë drejt vendngjarjes.
34-vjeçari me iniciale K.H. kishte konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen F. C., 31 vjeçe dhe bashkëjetuesin e saj, shtetasin I. J, të cilët i kërcënonte se do t’i vriste me armë zjarri.
34-vjeçari, që aktualisht është nën hetim për një vjedhje, u arrestua në flagrancë. Gjatë kontrollit fizik të tij, policia i sekuestroi një pistoletë me fishekë në gojë gati për qitje.
Po gjatë këtij operacioni, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. J., 55 vjeç, bashkëjetuesit të 31-vjeçares, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (përforcues grushti).
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale ” Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit K. H, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit I. J