DVP Korçë

Vihen në pranga 2 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të shtetasit S. S., 29 vjeç, banues në fshatin Cangonj, Devoll.

Ky shtetas është konstatuar nga punonjësit e policisë në qytetin e Korçës, me mjetin tip “Volksëagen”, të cilët i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por 29-vjeçari nuk iu bind urdhrit të tyre dhe u largua me shpejtësi. Pas ndjekjes, u bë e mundur ndalimi i shtetasit S. S., gjatë kontrollit në mjetin e të cilit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
————
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetases V. Gj., 38 vjeçe, banuese në fshatin Rëmenj, Pogradec, pasi në fshatin Buçimas, Pogradec, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike, duke e goditur me sende të forta tezen e saj shtetasen M. E., 50 vjeçe, banuese në fshatin Gështenjas, Pogradec, e cila ka pësuar dëmtime të lehta fizike.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.