Thuajse 40 vjet (të enjten që vjen në 13 maj) pas sulmit ndaj Papa Gjon Pali II, flet për herë të parë Ermenegildo Santarossa, i lindur në vitin 1937, njeriu që bllokoi i pari atentatorin turk Ali Agça. Ish-xhandari papnor, asnjëherë i marrë në pyetje nga hetuesit, tregon foton si provë të asaj që është thënë prej dekadash.
Ai, përpara atentatorit të Papës. “Ky është Ali Agca, turku, njeriu që qëlloi Papën, ky jam unë, – thotë 84-vjeçari, duke kujtuar ngjarjen i emocionuar, – dhe ky është një tjetër ish-xhandar i Papës atëherë në detyrë” .
Në intervistë, thuajse 40 vjet pas asaj ngjarjeje, Santarossa, i cili tregon se ishte betuar 18 vjeç për të mbrojtur jetën e Papës, përshkruan atë që përjetoi.
“Unë isha në shesh, sapo dëgjova të shtënat nxitova të ndihmoj ish-kolegët e mi, sepse në moshën 18 vjeç u betova për të dhënë jetën time për Papën. Kujtoj që ishte një djalë i ri (Aliu), ai doli përpara me armë. Franco Ghezzi, ndihmësi i Papa Gjon Pali II, më bërtiti: ‘Santarossa, është ai me armë që qëlloi Papën’. Në atë kohë, kur isha pesë metra larg Ali Agçasë, ai hodhi armën drejt meje, sepse njerëzit po hapeshin, ndërsa ai ecte përpara. Unë e kapa fort dhe kur e shtrëngova rreth vetes, më tha tre herë: ‘Unë nuk bëra asgjë’”.
Përpjekja për linçim
Kur njerëzit e kuptuan se ai kishte qëlluar Papën, ne gjithashtu duhej ta mbronim, sepse ata donin ta godisnin, pësuam grushte dhe shkelma, gjithçka në mënyrë që ta shpëtonim”. Ndërkohë që Alì Agça është i lirë që në 2006-ën pas 25 vitesh burg.
Mrekullia e armës së bllokuar
“Pastaj, kur e mbyllëm brenda, unë shkova të marr armën. Ishte me të vërtetë një mrekulli, sepse ajo lloj arme nuk bllokohet kurrë dhe gjithsesi u qitën vetëm dy plumba, i treti nuk doli nga tyta e pistoletës. Gjykatësit nuk më thirrën kurrë për të më marrë në pyetje… Dhe gjithsesi, disa vjet më vonë, Presidenti i Republikës, më dha një çmim për meritën e asaj që kisha bërë”.
Atentati i vitit 1981
Ishte e mërkurë, 13 maj 1981, në një ditë audience të përgjithshme mbajtur në sheshin Shën Pjetër në Romë dhe para një turme prej 20.000 besimtrarësh, Gjon Pali II pësoi një attentat.
Mehmet Ali Ağca, një i ri turk 23 vjeç, i dënuar në vendin e tij për një vrasje të kryer dy vjet më parë, qëlloi mbi Papën me një pistoletë Broëning kalibër 9 mm, në një distancë prej më pak se gjashtë metra.
Me dy plumba në trup, Papa operohet urgjent, por fatmirësisht asnjë organ vital nuk ishte prekur. Sulmi zhvillohet në ditën përkujtimore të shfaqjes së parë të Virgjëreshës.
Sipas burimeve dhe raportimeve të mediave perëndimore, sulmi mund të jetë punë e GRU-së, shërbimet e inteligjencës së ushtrisë sovietike. Njerëz të tjerë, për shkak të kombësisë së Mehmet Ali Ağca, besojnë se grupet radikale islamike mund të jetë në origjinën e atentatit.
Burime të tjera lënë të kuptojnë se ky ishte një veprim nga mafia turke në bashkëpunim me mafien italiane. Së fundi, ka dyshime se Mehmet Ali Agça, vuante nga çrregullime mendore.
Pas sulmit, i cili gati i kushtoi jetën dhe i la pasoja, Papa qarkullonte në mesin e turmës me një makinë të blinduar, quajtur “Popemobile”. Në vitin 1983, ai shkoi në qelinë e Mehmet Ali Ağca për t’a falur.
Kush ishte Ali Agça
Ish-anëtari i grupit ekstremist të “Ujqërve Gri”, u dënua nga një gjykatë turke me burgim të përjetshëm në vitin 2000 për grabitjen me armë të një banke dhe për vrasjen e gazetarit turk Abdi Ipekci në 1979-ën, pas ekstradimit nga Italia, ku ai ishte falur, pasi kishte vuajtur 19 vjet në qeli për sulmin ndaj Gjon Palit II.
Agça del nga burgu për një llogaritje teknike gjyqësore komplekse, që merr në konsideratë edhe sjelljen e tij të mirë, por që do të jetë plotësisht e qartë vetëm në ditët në vijim, pas publikimit të arsyeve të dënimit.
(E.H/Faxweb.al)