1. Ridimensiononi gjithçka! Në kundërshtim me atë që duan të na bëjnë të besojmë reklamat apo atmosfera që na rrethon, për festa jo çdo gjë është perfekte. Do ulemi në tryezë me të njëjtën familje që ditë më parë ndoshta kemi patur ndonjë debat apo pakënaqësi, të cilat sigurisht nuk do zhduken me magji vetëm se jemi në atmosferë festash. Kjo është diçka shumë normale, pasi familjet e reklamave nuk ekzistojnë në realitet.

2. Mos dilni nga vetja, kufizoni pretendimet tuaja! Gjithçka duhet të jetë perfekte: zbukurimet, shtëpia, ushqimi, dhuratat, veshjet. Por perfeksioni nuk ekziston gjatë ditëve të tjera të vitit dhe si rrjedhojë nuk mund të shoqërojë as festat e fundvitit. Duhet të përpiqemi t’i bëjmë gjërat në mënyrë që të mos na stresojnë. Nëse diçka nuk del ashtu siç e kishim menduar, nuk është fundi i botës. Kush do të na e vlerësojë mundimin tonë. Vetëvlerësimi dhe vlerat tona personale nuk varen nga zbukurimet e festave apo nga shija e ushqimit. Nuk jemi në garë dhe askush nuk duhet të gjykojë performancën tonë, përkundrazi kush na do, do bëjë tifo për ne.

3. Mos e mbushni ditën me shumë aktivitete. Gjërat që duhet të bëjmë janë shumë dhe kohë nuk kemi. Por kush e vendos cilat janë gjërat për t’u bërë? Ne! Pushoni, lexoni diçka, rrini me familjen tuaj dhe merrni kohë për t’u menduar. Listën e gjërave që duhet të bëjmë e caktojmë vetë, kështu që zgjidhni më shumë kohë për veten tuaj.

4. Ruani me afeksion diçka nga viti i kaluar. Bilanci i vitit të kaluar është i pashmangshëm, por përpiquni ta bëni në mënyrë sa më objektive. Ndodh shpesh që duam ta hedhim pas krahëve vitin e vjetër, por jo gjithmonë duhet kaluar çdo gjë. Jeta është e tillë, ka momente të bukura dhe më pak të bukura; kënaqësi dhe zhgënjime. Bërja e një bilanci objektiv na lejon të shohim gjërat e bukura që lamë pas, edhe pse mund të jenë të vogla. Mbajini me vete këto momente të bukura dhe përdorini si baza për të nisur vitin e ri. Edhe në vitet më të vështira, kur kemi patur humbje të rëndësishme apo sëmundje, ka patur gjithmonë diçka të bukur brenda, mjafton ta gjeni dhe ta shihni, sado e vogël qoftë ajo.

5. Qejfi nuk bëhet me zor. Përse vallë ndiheni të trishtuar? Kjo mund t’u ndodh të gjithëve, pa dallim gjinie apo moshe, bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Christmas effect”. Shkaqet janë ato që pamë në katër pikat e mësipërme, duke shtuar këtu edhe: presionin e jashtëm, pritshmëritë, detyrimet dhe bilancin vjetor. Nga ana tjetër simptomat depresive dhe ndryshimet e humorit përkeqësohen edhe me ndërrimin e stinëve. Dita më e shkurtër na trishton më shumë.

Çfarë duhet të bëjmë?

  • Mos u shqetësoni dhe mos e fajësoni veten për gjendjen shpirtërore që nuk shkon në të njëjtën linjë me atmosferën festive.
  • Pranoni dhimbjen tuaj.
  • Kuroni gjumin, përpiquni të ruani ritme të rregullta.
  • Monitoroni humorin dhe, nëse vazhdon edhe pas festave, atëhere mund të mendoni që ju nevojitet ndihma e një specialisti.

/Renata del Guidice PHD