Le Bron James hyn në histori. “Mbreti” i koshit dhe lideri i Lakers duket se po arrin të thyejë çdo rekord të mundshëm, pavarësisht moshës së tij. Pas 34 pikëve që ai arriti të realizojë ndaj New Orleans në sfidën e zhvilluar mbrëmjen e së martës, aty ku Lakers triumfuan me shifrat 136-115, James arriti të prekë kuotën e 50.000 pikëve në NBA gjatë gjithë sfidave, si në sezon të rregullt po ashtu edhe në play off, duke u bërë kështu i pari dhe i vetmi basketbollist që arrin një shifër të tillë. Numra të pabesueshëm, por jo më kot James renditet ndër basketbollistët më të mirë të të gjithë kohrave.

Cleveland ndërkohë bëhet skuadra e parë që siguron një vend në play off, duke mundur 139-117 Chicago. Donovan Mitchell me 28 pikë e Jarrett Allen me 25 pikë ishin liderë në fushë.

Fitore në sekondat e fundit për Toronto, që mundi 114-113 Orlando, ndeshje ku u dallua RJ Barrett me 21 pikë, ndërsa 41 pikët e Paolo Banchero mbetën për statistikë.

Skuadra e Phoenix, falë 34 pikëve të Kevin Durant mposhti 119-117 Clippers.

Edhe Golden State po ngjit shkallët në renditje, duke mposhtur sot 114-102 New York. Stephen Curry me 28 pikë ishte lider për Warriors.

Jashtë fushe triumfon edhe Milwaukee, që mundi 127-121 Atlanta. Antetokounmpo realizoi një “triple double”, me 26 pikë 12 rebound e 10 asist.  Minnesota mundi 126-112 Philadelphia, me 7 lojtarë që realizuan mbi 10 pikë.