Një efektiv policie është arrestuar në kryeqytet nga agjentët e AMP, pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga një hetim u administruan prova dhe fakte se efektivi kishte shfrytëzuar funksionin dhe atributet e policisë gjyqësore, për të kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, ka arrestuar në flagrancë oficerin e policisë, Nënkomisar K. P., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.