Në dosjen e efektivëve të Rinasit të cilët ndihmonin për të kaluar qytetarë me probleme drejt vendeve të BE-së,  janë zbardhur përgjimet që provojnë të gjithë mekanizmin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Në përgjime zbardhen diskutimet mes Eneo Sulejmanit dhe Briken Tereziut për kalimin e rreth 200 personave nga data 06.04.2023 deri 12.03.2024

Sipas dosjes së prokurorisë, këta persona janë lejuar të udhëtojnë pavarësisht se kanë tejkaluar afatet e ditëve të qëndrimit, persona të kthyer në kategorinë INAD gërma H dhe F, Kategorinë Deportiv (me deklarata noteriale të falsifikuara), të mitur të papajisur me deklarata noteriale nga prindërit, apo shkaqe të tjera.

Ata komunikonin në rrjetet sociale dhe biseda telefonike për të kaluar persona drejt vendeve të BE-së kundrejt ryshfetit në vlera nga 50 deri në 500 euro.

E gjithë skema e ryshfetit është zbardhur pas arrestimit të Sulejmanit me 1 kg kokainë në makinë dhe pas zbërthimit të tabulateve telefonike janë zbuluar edhe bisedat me efektivin që çuan në goditjen e skemës së korrupsionit.

Sulejmani gjente “klientët” përmes agjencisë së tij Bus “Bus Albania”, të cilëve u priste biletat dhe më pas kontaktonte efektivin Tereziu për të t’i lejuar të kalojnë. Ky i fundit, në rastet kur vetë nuk ishte i pranishëm njoftonte të tjerë policë që po ashtu janë të përfshirë në këtë skemë.

Përkundër ryshfetit, policët lejonin të kalonin kufirin persona me probleme, të deportuar në Shqipëri, ata që kanë tejkaluar afatet e ditëve të qëndrimit, të mitur të papajisur me deklarata noteriale nga prindërit, apo shkaqe të tjera.

Në bisedat mes Sulejmanajt dhe efektivit Briken Tereziu flitet edhe ryshfetin 500 euro.

Eneo:  Me thuaj ti vlla. Sot ten is 500 me ate neser tbej 1 vet

Briken: Se kuptova

Eneo: Sot nis 500 me ate se qa ka me vete. Nqs tak neser tbej 1 vlla

Briken: Ok tak neser mos e vrit mendjen

Eneo: Po vjen 5 min eshte aty ka 600

Në orën 10:16 PM dhe në orën 10:21 PM zhvillohen dy telefonata midis shtetasit Eneo Sulejmanaj dhe punonjësit të policisë Briken Tereziu në aplikacionin Signal

Eneo: Neser tbej nje 500 vlla

Briken: Ok vlla ngjohemi nesër

Në një tjetër përgjim, ata diskutojnë për kalimin e një të mituri, i cili nuk kishte mbushur 18 vjeç dhe u lejua kalimi i tij pa prokurën e prindërve.

Nga këqyrja e komunikimit telefonik në aplikacionin Signal, rezulton se më datë 05.06.2023, nga ora 02:45 PM – 03:29 PM, shtetasi Eneo Sulejmanaj komunikon me punonjësin e policisë Briken Tereziu e konkretisht:

Eneo: O vlla ca ben si je. A mu lodhe

Briken: Si je mire

Eneo: Mire vlla. Kemi i cunin e shokut ton. E kemi nis dhe her tjtr

Briken: Ca ka

Eneo: (I dërgon pasaportën e shtetasit K.D). Si ka mush 18 akoma

Briken: Te them per pak

Eneo: Ok vlla. Me thuja vlla

Në orën 03:29PM zhvillohet një bisedë telefonike midis shtetasit Eneo Sulejmanaj dhe punonjësit të policisë Briken Tereziu në aplikacionin Signal

Nga këqyrja në sistemin TIMS rezulton se shtetasi K.D është përpunuar në dalje të territorit të RSH më datë 05.06.2023 ora 15:44 nga punonjësi i policisë me username në TIMS TereziuB. Më datë 21.12.2023, ora 09:18 është përpunuar përsëri nga punonjësi i policisë me username në TIMS TereziuB. Shtetasi K.D dtl. 27.05.2006, nuk ka mbushur moshën 18 vjeç dhe është lejuar të udhëtojë pa prokurën e prindërve.