Gjykata vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për pezullim, pasi çështja është duke u trajtuar me përparësi,” tha kryetarja e kësaj gjykate, Holta Zaçaj në përfundim të seancës me pyetje-përgjigje për palët e interesuara në proces.
Po ashtu, gjykata u la kohë deri të premten që palët të sjellin prova të reja, përgjigjet për pyetjet që u administruan në seancë dhe parashtrimet, ndërsa lajmëroi se konkluzionet përfundimtare do të jepen në seancën e datës 25 qershor.
Kjo gjykatë u përball me disa padi të ndryshme gjatë këtij viti kur ligji i miratuar që në mars të vitit 2023 hyri në fuqi dhe një Vendim i Këshillit të Ministrave përcaktoi dhe listën e profesioneve që do të përfshiheshin në një tatim nga 15-23 përqind nga 1 janari 2024.
Deputetët e opozitës dhe përfaqësues të grupimeve të profesionistëve të lirë që preken nga ky ligj, kontabilistët dhe avokatët pretenduan në seancë se ligji krijon pabarazi dhe diskriminim para ligjit për kategoritë e ndryshme që do të tatohen nga këto ndryshime dhe krijon pasiguri juridike për kategoritë e prekura.
Në seancën e së martës avokati i Grupit Parlamentar të PD-së, Marash Logu, kërkoi bashkim të padive që janë në shqyrtim, ndërsa argumentoi se sapo ka nisur zbatimi i këtij ligji ka krijuar pasiguri juridike tek kategoritë e prekura. “Janë rreth 11 mijë subjekte që kanë pezulluar aktivitetin ose kanë kaluar në likuidim si pasojë e hyrjes në fuqi e ligjit”- tha ai, duke shtuar se bëhet fjalë për 1/3 e profesionistëve të lirë apo të vetpunësuarve.
Po ashtu, sipas tij, parashikimi ligjor është diskriminues pasi bizneseve të vogla u është dhënë mundësia 6 vjeçare deri në 2030 që të përshtaten me sistemin e ri fiskal, ndërsa pjesës tjetër jo duke argumentuar se disa prej tyre kanë shmangur detyrimet fiskale në të shkuarën.
“Dështimi i adminstratës tatimore për të përmbushur detyrën e saj nuk mund të shkaktojë pasoja për ata që punojnë në përputhje me ligjin”- argumentoi Logu duke e cilësuar “cënim flagrant të sigurisë juridike” ndryshimin e menjëhershëm të masave fiskale.
Para trupës gjyqësore parashtroi qëndrimin e saj si përfaqësuese e kërkesës së grupit demokrat deputetja Jorida Tabaku, e cila i cilësoi politikat fiskale të qeverisë të shpeshta duke krijuar pasiguri ekonomike tek qytetarët.
Ndërsa duke folur për mediat jashtë seancës Tabaku tha se nuk priste që “GJK të merrte atributet e qeverisë për të caktuar taksën, por që të vendosë nëse sistemi tatimor është i qartë dhe i thjeshtë, a përmirësohet me keto ndryshime që parashikon, a ka transparencë me palët e interesit”.
Përfaqësuesit e shoqatave të profesionistëve të lirë që janë përfshirë në listën e qeverisë për të paguar tatimin e ri që në nisje të këtij viti argumentuan në seancë se ky tatim ishte një barrë e rëndë për ta, se ndiheshin të diskriminuar dhe të pabarabartë para ligjit.
Ata paralajmëruan se dëmi që mund të shkaktojë parapagimi i kësteve të këtij tatimi brenda vitit mund të çojë deri në kolapsimin e sistemit të profesionistëve të lirë.
Këshilli i Ministrave mbrojti politikat e reja fiskale duke u bazuar në pretendimin se profesionet e lira kishin abuzuar nga politikat e mëparshme tatimore duke kryer evazion fiskal.
“Kemi inflacion niptesh që përdoren për këtë qëllim”- pretendoi drejtori i Politikës Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, i cili shtoi se “kemi bërë adresim ligji pasi administrata tatimore nuk ka kapacitetet për t’i ndjekur çdo individ që shmang ligjin”.
Anëtarët e trupit gjykues bënë pyetje për të pranishmit për të kuptuar se pse qeveria kishte vendosur të ndante në kategori të ndryshme profesionet dhe kohën kur niste barra e re fiskale për ta.
“Keni bërë diferencë pavarësisht se flisni për neutralitet”- iu drejtua kryetarja e gjykatës përfaqësuesit të qeverisë, duke shtuar se “e keni veçuar një grup, të tjerëve u keni dhënë kohë që të përshtaten me taksën e re”.
Por, Lera u përgjigj se “Shqipëria nuk mund të jetë parajsë fiskale” duke ripërsëritur argumentet për shmangien e këtyre kategorive nga tatimet.
Sipas dispozitave ligjore nga 1 janari i këtij viti ka nisur zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira./reporter.al