Një ministër britanik pranoi se 200 fëmijë azilkërkues të cilët ishin të vendosur nga Zyra për Punët e Brendshme nëpër hotele janë zhdukur. Në mesin e tyre përfshihen një vajzë dhe të paktën 13 fëmijë nën 16 vjeç, tha ministri Simon Murray në Dhomën e Lordëve të Hënën. Deklarata vjen pasi një burim nga një prej zyrave të Ministrisë së Brendshme në Brighton tha se disa fëmijë ishin rrëmbyer në rrugë jashtë një ndërtesë dhe ishin futur në makina.
Departamenti është paralajmëruar nga policia se azilkërkues në moshë të mitur, që kishin mbërritur së fundmi në Britaninë e Madhe, një pjesë e mirë me varka të vogla, pa prindër apo kujdestarë, do të ishin në shënjestër të rrjeteve kriminale.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një prej deputetëve të parlamentit britanik, Murray tha: “Zyra për Punët e Brendshme nuk ka fuqi për t’i ndaluar fëmijët të pashoqëruar azilkërkues që ndodhen në këto hotele dhe ne jemi në dijeni se disa prej tyre janë zhdukur. Shumë prej atyre është bërë e mundur që të gjurmohen”.
Ministri britanik tha se 88 % e 200 fëmijëve, 176, janë me origjinë shqiptare, dhe u shpreh se qeveria shpreson që të heqë dorë nga përdorimi i hoteleve si vende akomoduese për fëmijët, sa më shpejt të ishte e mundur.
Sipas asaj që shkruan The Guardian e përcjell TV Klan, janë 6 hotele të vëna në dispozicion nga Zyra për Punët e Brendshme për fëmijët azilkërkues të pashoqëruar, përfshirë atë në Brighton.
Organizatat jo qeveritare kanë shprehur në mënyrë të vazhdueshme shqetësimin për fëmijët që zhduken nga vendet e akomodimit dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për t’u kujdesur që këta fëmijë të jenë të sigurt, por qeveria i ka refuzuar këto oferta.
“Ka më shumë se një vit dhe ishte e dukshme se kishte shqetësim serioz për sigurinë e këtyre të rinjve në këto hotele. Që prej asaj kohe Zyra për Punët e Brendshme është paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme që fëmijët po zhduken, potencialisht me qëllim trafikimin apo shfrytëzimin e tyre. Megjithatë këto shqetësime janë injoruar”, tha Philip Ishola, kreu ekzekutiv i organizatës kundër trafikimit të fëmijëve, Love149.
Ndërsa Bell Sankey, këshilltare e laburistëve në Brighton dhe Hove tha: “Këta fëmijë duhen gjetur. Ne duhet po ashtu të bëjmë një hetim të plotë për shkallë politike dhe institucionale të përgjegjësisë për këtë fenomen”.
Në rastin e fëmijëve që u panë të futeshin nëpër makina në rrugë, policia e Sussex tha se kishte arrestuar 2 persona, nën dyshimin për trafik të qenieve njerëzore. Megjithatë një burim nga policia tha për The Guardian se nuk ka pasur akuza për rrëmbim.
Qëkur Zyra për Punët e Brendshme nisi të vendosë azilkërkuesit nëpër hotele në Brighton dhe Hove në Korrik të 2021, 137 fëmijë të pashoqëruar janë raportuar si të zhdukur, tha një zëdhënës i policisë. Prej tyre, 60 janë gjetur, ndërsa 76 raste të tjera mbeten nën hetim.
Ndërkohë, komisionerja për fëmijët, Rachel de Souza, në një letër drejtuar Ministres së Brendshme Suella Braverman, kërkoi siguri që po ndiqen të gjitha protokollet për fëmijët e zhdukur, përfshirë sinjalizimin e autoriteteve për incidentet e konsideruar si serioze.
“Jam tejet e shqetësuar për rreziqet me të cilat përballen fëmijët azilkërkues, të pashoqëruar, të cilët dërgohen në hotele, nga ata që janë të vendosur për t’i shfrytëzuar. Këtyre fëmijëve u duhet dhënë mbështetja dhe mbrojtja e shtetit që nga dita kur mbërrijnë në vendin tonë derisa të mbushin 18 vjeç”, shkruan ajo mes të tjerash.
Burime nga Zyra për Punët e Brendshme, thanë se nuk ishte e vërtetë që fëmijë të pashoqëruar po rrëmbeheshin nga hotele, duke theksuar se ata ishin të lirë të largoheshin nga vendet akomoduese. Megjithatë, ka pretendime se fëmijët po trafikohen nga hotele të Zyrës për Punët e Brendshme në Hythe, Kent, duke deklaruar se gati 10 % e tyre zhduken çdo javë.