Sipas shifrave të referuara nga KLSH, prej vitit 2012 deri në vitin 2021, përllogaritet një dëm ekonomik prej 7.2 miliard euro ose 805 miliard lekë në buxhetin e shtetit. Kjo shumë parash e çuar dëm përmes korrupsionit, është e barabartë me shumën e buxhetit të shtetit shqiptar në dy vite.
Për këtë nivel të lartë korrupsioni, KLSH ka paraqitur pranë prokurorisë dhe SPAK, 357 kallëzime dhe indicie penale për 1071 zyrtarë të niveleve të ndryshme.
Prokuroria e Përgjithshme ia lë përgjegjësinë SPAK, një strukturë e ngritur posaçërisht për të hetuar korrupsionin.
SPAK konfirmon se për periudhën 19.12.2019-25.11.2022, kohë kur ka filluar ushtrimin e veprimtarisë së tij rezultojnë të jenë regjistruar gjithsej 7 kallëzime penale të ardhura nga KLSH dhe këto procedime penale janë në fazën e hetimit dhe pa asnjë emër të regjistruar.
Sipas KLSH-së fushat ku janë evidentuar parregullsitë dhe shkeljet financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, janë në sektorin e tatim-taksave, dogana, shitje-blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, në fushën e prokurimeve, shpenzimeve operative, në fushën e pagave, shpërblimeve, etj.
Kur po projektohej reforma në drejtësi, të gjithë prisnin me padurim ngritjen e SPAK, një strukturë që do ta pastronte shoqërinë shqiptare nga gangrena e korrupsionit. Pati shumë shpresë se shpejt do të vinte dita e sundimit të ligjit. Kanë kaluar shtatë vite prej kohës kur u miratua reforma në drejtësi dhe tri vite prej kohës kur nisi të funksionojë struktura e posaçme SPAK. Të dhënat që vijnë nga Kontrolli i Lartë i shtetit na tregojnë se korrupsioni është në të njëjtat nivele, në mos më i përhapur. Të dhënat na dëshmojnë se qytetarët dhe zyrtarët nuk janë të barabartë para ligjit.