Një shpërthim ka ndodhur sot, të premten, në një tubacion gazi natyror që lidh Lituaninë dhe Letoninë.

Shpërthimi që ndodhi në veri të Lituanisë është konfirmuar për agjencinë Reuters nga kompania lituaneze e transmetimit të gazit natyror Amber Grid.

Nuk raportohet për të vdekur apo të lënduar.

Videoja e publikuar nga transmetuesi publik lituanez LRT tregon një zjarr të ndezur në vendin e shpërthimit në qarkun Panevezys në Lituaninë veriore.

“Ne po hetojmë shkakun e shpërthimit ,” tha zëdhënësi i Amber Grid. Kompania njoftoi se, sipas vlerësimeve fillestare, nuk sheh shkaqe dashakeqe të shpërthimit, por hetimet do të mbulojnë të gjithë skenarët e mundshëm. Gjithashtu, kompania siguroi se zjarri do të shuhet së shpejti, pasi furnizimi me gaz është ndërprerë.

Shpërthimi, siç transmetohet nga rrjeti televiziv shtetëror lituanez LRT, çoi në evakuimin e fshatit Pasvalio Vienkiemiai me rreth 250 banorë, ndërsa flakët arritën një lartësi prej 50 metrash dhe ishin të dukshme në një distancë prej 17 kilometrash.

Kryebashkiaku i zonës tha për radion LRT se kishte tinguj që të kujtojnë avionët që fluturonin në lartësi të ulët, ndërsa vlerësoi se në vendin e shpërthimit nuk ka shtëpi.

https://youtube.com/watch?v=JvWzthz7Lnc