Operacioni i policisë shqiptare për çmontimin e kamerave të sigurisë të vendosura në mënyrë ilegale në të gjithë vendin, ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
Media gjermane “Frankfurter Rundschau” e ka nisur titullin e shkrimit të saj me: Mafia shqiptare, më e pajisur se policia.
Në shkrim thuhet se fenomeni vendosjes së kamerave ilegale nga elementet kriminale, nuk është i panjohur për Europën.
Frankfurter Rundschau shkruan se klanet në Shqipëri kanë pothuajse gjithçka në monitorim falë teknologjisë së survejimit. Ekspertët flasin për “epërsi teknologjike të grupeve kriminale”.
Shkrimi i “Frankfurter Rundschau” – Titulli i medias gjermane: Mafia shqiptare! Më e pajisur se policia
Kontrolli i gjithanshëm i territorit po bëhet gjithmonë edhe më i zakonshëm. Edhe në Ballkan, kamerat e sigurisë të vendosura në kryqëzime, rrugë makinash dhe këmbësoresh, është një fenomen i njohur tashmë.
Kamerat e montuara në mënyrë ilegale në rrugët e Shqipërisë, të cilat nuk janë të fshehta, po ngrenë shumë pikëpyetje se kush është ekzaktësisht “vëllai i madh” i 2.8 milionë qytetarëve në vend.
Kjo pasi shumë prej kamerave të sigurisë, nuk janë instaluar vetëm nga oficerët e zbatimit të ligjit në shtetin Adriatik, por edhe nga shkelësit e ligjit. Këtu përfshihen klane të fuqishme, rivale me njëra-tjetrën për kontrollin e trafikut të drogës, jo vetëm po vëzhgojnë njëri-tjetrin, por po monitorojnë edhe lëvizjet e policisë.
Policia në Shqipëri çmontoi më shumë se 220 kamera të paligjshme vetëm në kryeqytet
Në mesin e janarit, policia shqiptare në qytetin Shkodrës nisi për herë të parë operacionin për çmontimin e më shumë se 50 kamera të paligjshme. Qoftë në Durrës, Elbasan, Fier, Korçë apo Vlorë – më shumë se 450 kamera janë hequr tashmë në të gjithë vendin. Vetëm në Tiranë u zbuluan dhe u çmontuan më shumë se 220 pajisje vëzhgimi të instaluara ilegalisht.
Lajmi për kamerat e sigurisë gjithnjë e më të lokalizuara nga pronarë të dyshimtë, jo vetëm që ka ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave në Shqipëri.
“Epërsia teknologjike e grupeve kriminale në krahasim me shtetin është shumë flagrante”, thotë Erida Skendaj, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Tiranë.
Klanet e drogës në Shqipëri monitorojnë njëra-tjetrën me kamera të paligjshme.
Edhe pse janë arrestuar dhjetra persona të dyshuar për instalimin e kamerave, sërish është e vështirë të “zbusësh” shqetësimin për sigurinë e shqiptarëve. Shqipëria konsiderohet si një nga prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në kontinent.
Qoftë edhe për vrasje, bandat e drogës janë shumë të “etura” për të pushtuar tregun ndërkombëtar dhe për pushtet.