Komisioni Rregullator i KQZ miratoi të mërkurën disa ndryshime në vendimin “Për miratimin e disa karakteristikave teknike të fletëve të votimit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Sipas një njoftimi në rrjetet sociale në karakteristikat teknike të fletëve të votimit përfshihet edhe ngjyra e fletëve të votimit, bazuar edhe në përvojën e zgjedhjeve të mëparshme, të viteve 2015 dhe 2019. 
  
Pas konsultimit të modeleve të fletëve të votimit me grupe të ndryshme zgjedhësish, gjatë zbatimit të programeve të edukimit, u konstatua që ngjyrat dalin me nuancë të fortë dhe krijojnë vështirësi në njohjen e përmbajtjes së fletëve të votimit.  

Komisioni vlerësoi se emrat e kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore duhet të duken qartë dhe të krijojnë lehtësi për t’u lexuar dhe kuptuar nga ana e të gjithë zgjedhësve, pavarësisht moshës së tyre. 

Evidentimi qartë i emrave të kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore që garojnë ka përparësi për procesin e votimit, vlerësoi  Komisioni Rregullator.   

Në këto kushte komisioni ndryshoi kodet e ngjyrave për të dyja fletët e votimit.

Fleta e votimit për kandidatët për kryetar bashkie, do të jetë në ngjyrë të artë dhe fleta e votimit për kandidatët për anëtarët e këshillit bashkiak, do të jetë në ngjyrë gri. 

/ rtsh.al /