8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas. Është koha për të vlerësuar arritjet e grave, për të kërkuar barazi dhe për të luftuar për të drejtat dhe liritë themelore.
Në Shqipëri, ndonëse janë bërë përparime në barazinë gjinore, sërish ka diferenca të mëdha, sidomos kur bëhet krahasimi për “pushtetin” ekonomik. Meshkujt paguhen më shumë sesa femrat dhe dominojnë në pozicionet drejtuese në biznes, ndonëse femrat kanë nivel më të lartë të arsimit universitar.
Në të kundërt është rritur pesha e grave në politikë, me një pjesë të konsiderueshme të kabinetit që përbëhet nga gra ministre.
Gjithnjë e më shumë është rritur numri i ministreve. 70% e qeverisë aktuale përbëhet nga ministre gra, duke u renditur ndër 10 vendet e para në botë, ku femrat kanë pushtet të madh politik. Në botë, vetëm 14 vende kanë të paktën 50% gra që mbajnë poste ministrore në kabinetin kombëtar, bazuar në të dhënat e UN Women dhe The Inter-Parliamentary Union (IPU).
Gjithsesi Kuvendin e dominojnë meshkujt, teksa ata përbëjnë rreth 65% të numrit të deputetëve gjithsej, sipas INSTAT, ndonëse pesha e deputeteve femra ka ardhur në rritje. Në vitin 2021, shkalla e pjesëmarrjes së gruas është 35,7%. Ndër tetë komisionet parlamentare, pjesëmarrja më e madhe e grave shihet në “Komisionin për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë” dhe “Komisionin për edukimin dhe mjetet e informimit publik”, përkatësisht 61,9% dhe 57,9%.
Në Europë, sipas Eurostat, peshën më të lartë te grave në Parlament e ka Suedia, me rreth 50%, e ndjekur nga Finlanda me 46%, Belgjika me 43%, ndërsa më të ulëtën, Hungaria dhe Malta me nga 13% secila.
Më pak gra pronare në biznes
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, 24.1% e ndërmarrjeve në vitin 2021 kishin pronare ose administratore femër, me një rënie prej 1.4 pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm. Përqindja e grave pronareve ishte më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar) me 24.2%.
Kjo peshë është shumë më e ulët se mesatarja europiane prej 35%, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.
Përqindjen më të lartë e regjistron Letonia (46%), pastaj Polonia dhe Suedia përkatësisht (43%) dhe Estonia (41%).
Shqipëria është e treta nga fundi. Pas vendit tonë, përqindjet më të ulëta të grave menaxhere regjistrohen në Qipro (21%) dhe Luksemburg (22%).
Në vend, numri më i madh i sipërmarrëseve dhe administratoreve femra është në Tiranë, me 32.2% të totalit dhe më i ulëti në Berat, me 15.5%.
Burrat paguhen më mirë, por femrat në drejtim ua kalojnë.
Kursimet i mbajnë burrat
Sipas INSTAT në vitin 2021 kishte gjithsej 3.5 milionë llogari depozituese në sektorin familjar, nga të cilat 57% mbahen nga burrat.
Në të njëjtën linjë, janë meshkujt ata që mbajnë më shumë përgjegjësi dhe në marrjen e një kredie. Nga rreth 400 mijë hua që janë marrë nga familjarët, 57% të tyre kanë qenë në emër të burrave.
Gratë jetojnë më gjatë