Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur edhe njëherë alarmin se ‘lëngu i jetës” së njerëzimit është gjithnjë e më shumë në rrezik për shkak të zhvillimit dhe konsumit pa kriter Në Ditën Botërore të Ujit.
Në raportin e fundit, OKB evidentoi kërcënimin për një krizë të pashmangshme për ujë në vitet në vijim pasi mungesa e tij është duke u përkeqësuar.
Sipas sekretarit të përgjithshëm, Antonio Guterres ” bota po ecën verbërisht në një rrugë të rrezikshme me përdorimin e paqëndrueshëm të ujit , ndotjes dhe ngrohjes globale”.
Më tej ai vazhdon se: Kërkesa e njerëzimit për ujë po rritet. Presioni mbi burimet ujore po rritet për shkak të përdorimit të tepërt, ndotjes dhe ndryshimeve klimatike. Thatësirat dhe valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më intensive dhe më të shpeshta. Rritja e nivelit të detit po nxit depërtimin e ujit të kripur në akuiferet bregdetare. Akuiferët ujorë nëntokësorë po shterohen.
Uji mund të jetë burim konflikti por edhe bashkëpunimi. Është thelbësore që ne të punojmë së bashku për të siguruar administrim më të mirë të të gjitha burimeve ujore, duke përfshirë furnizimin e botës me ujëra nëntokësore. Ujërat nëntokësore janë jashtë syve, por ne nuk mund të lejojmë që ato të jenë jashtë mendjes. Të ruajtura në shkëmbinj dhe tokë, ujërat nëntokësore janë burimi ynë më i madh i ujërave të ëmbla të lëngshëm. Ai mbështet furnizimet me ujë të pijshëm, sistemet e kanalizimeve, bujqësinë, industrinë dhe ekosistemet. Megjithatë, rreth 20 për qind e akuiferëve në botë janë duke u mbishfrytëzuar.
Në shumë vende, ne thjesht nuk e dimë se sa nga ky burim i çmuar mund të ekzistojë. Ne duhet të përmirësojmë eksplorimin, monitorimin dhe analizën tonë të burimeve ujore nëntokësore për t’i mbrojtur dhe menaxhuar më mirë ato dhe për të ndihmuar në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Studimi tregon se rreth dy miliardë njerëz nuk kanë akses në ujë të pijshëm të sigurt, ndërsa 3.6 miliardë nuk kanë akses në shërbime të besueshme sanitare.
“Mungesa e ujit po bëhet endemike”, thuhet në raport, i cili vë në dukje se përdorimi global i ujit është rritur me rreth 1% çdo vit gjatë 40 viteve të fundit dhe pritet të ruajë ritme të ngjashme deri në vitin 2050.