Nga ceremonia e marrjes së gradës kolonel, 7 sportistët elitarë të vendit, janë bërë protagonistët e parë të podcasteve të kryeministrit Edi Rama, i cili tashmë sheh një mundësi të re ndoshta edhe për karrierën e tij, përtej politikës.
Atletja Luiza Gega, peshëngritësit Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, boksieri Alban Beqiri dhe xhudistet kosovare Nora Gjakova, Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi, kanë qenë të ftuarit e parë të Ramës në një podcast që zgjat rreth një orë.
Me pyetje sa provokuese, po aq edhe për karrierën e tyre, sportistët janë rrëfyer te Rama, edhe mbi ndjesitë e marrjes së gradës kolonel, që përkthehet edhe në shpërblime financiare për ta, deri në pensionimin e tyre.
Përballë Ramës, që ishte dhe ‘shpërblyesi’ i tyre, sportistët u shprehën të lumtur për vlerësimin me grada, si një mundësi që ata pas sportit të mos endeshin dhe të përballeshin me situata të vështira financiare.
Nga ana e tij Rama tha se qeveria ka bërë dhe do të bëjë më shumë për sportin.
“Ka qenë një nga barrat shumë të rënda të problemeve dhe sekëlldive të harruara kjo e kampionëve që shkëlqejnë dhe më pas i përpin harresa dhe pasi lënë aktivitetin kthehen në njerëz të zakonshëm e pasi zbresin nga maja e Olimpit bien edhe në situata të papranueshme varfërie”, u shpreh Rama.