Temperaturat dje në një qytet të largët në Kinën veriperëndimore tejkaluan 52 gradë Celsius, duke vendosur një rekord të ri për vendin, i cili vetëm gjashtë muaj më parë po luftonte me temperaturat prej minus 50 gradë, njoftuan mediat shtetërore, cituar nga Reuters.

Temperaturat në qytetin Sanbao në prefekturën Turpan në Rajonin Autonom të Xinjiang Uygur u rritën në 52.2 gradë dje, raportoi sot gazeta shtetërore Xinjiang Daily, me nxehtësinë rekord që pritet të vazhdojë edhe për të paktën pesë ditë të tjera.

Temperaturat e larta thyen rekordin e mëparshëm prej 50.3 gradë, të matur në vitin 2015 pranë një liqeni në të njëjtën zonë.

Që nga prilli, vendet në Azi janë goditur disa herë nga valët rekord të të nxehtit, duke ngritur shqetësime për aftësinë e tyre për t’u përshtatur me një klimë që ndryshon me shpejtësi. Sipas ekspertëve të klimës, qëllimi afatgjatë për të mbajtur ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius po duket gjithnjë e më i paarritshëm.

Periudhat e zgjatura të temperaturave të larta në Kinë po paraqesin sfida serioze për rrjetin elektrik dhe korrjes dhe frika e një përsëritjeje të mundshme të thatësirës së vitit të kaluar, e cila ishte më e keqja në 60 vjet, vazhdon të rritet. Kina është përballur me amplituda të ngjashme të temperaturës përgjatë stinëve më parë, por hendeku po bëhet më i madh.

Më 22 janar, temperaturat në Mohe, një qytet në provincën Heilongjiang të Kinës verilindore, ranë në minus 53 gradë Celsius, sipas zyrës lokale meteorologjike, duke tejkaluar nivelin më të ulët të mëparshëm të vendit prej minus 52.3 gradë, të regjistruar në vitin 1969.

Kina Qendrore u godit më pas nga shirat e rrëmbyeshëm – më të fortat në dekada – duke shkatërruar të korrat në rajonin e njohur si shporta e bukës së vendit.

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina rinovuan përpjekjet e tyre për të luftuar ngrohjen globale. I dërguari i posaçëm i SHBA për klimën, John Kerry, zhvilloi bisedime me homologun e tij kinez Xie Zhenhua sot në Pekin.