Brigadieri i minierës AlbChrome në Bulqizë është vënë në hetim për shkak të shpërthimit të një sasie gazi, ku për pasojë tre minatorë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme trupore.
Brigadieri L.Xh., 55 vjeç, banues në Bulqizë, akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Dyshohet se ai nuk ka kontrolluar frontin e punës, dhe punonjësit që punonin në atë nivel.
Kujtojmë se tre minatorë mbetën të plagosur gjatë orarit të punës teksa po punonin në një minierë në Bulqizë për shkak të rrjedhjes së gazit. Tre minatorët pësuan djegie dhe u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas policisë, të tre punonjësit: F.S; Rr.K., dhe A.Ç., ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por që kanë marrë djegie të ndryshme në trup si pasojë e zjarrit.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak, të dhënë me datë 14.08.2023, ku në një subjekt minerar, në Bulqizë, gjatë punës në nivelin 17 të pusit, shpërtheu një sasi gazi dhe për pasojë pësuan djegie trupore tre punëtorë që ndodheshin në këtë nivel, ju informojmë se;
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin L.Xh., 55 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier i subjektit minerar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dyshohet se nuk ka kontrolluar frontin e punës dhe punonjësit që punonin në atë nivel. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Vijon…