Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca ndaj ish-ministrit te mbrojtjes Fatmir Mediu ne lidhje me shpërthimin e ndodhur në Gërdec në mars të 2008-tës . Deri me tani kanë deshmuar 5 persona, mes tyre edhe Fejzi Shehu i cili ka punuar si roje zëvëndësues tek fabrika e demontimit të armëve për dy ditë.
Shehu: Isha roje tek porta kryesore e fabrikës së demontimit aty futeshin punëtorët dhe dilnin kamionët. Ditën e shpërthimit isha në punë, tek porta kryesore dhe më erdhi një familjarë i një personi që kërkonte ti jepte ushqimin. Qesen e mora unë dhe jam futur brënda deri tek porta e dytë, aty pashë flakën pranë një karroce dhe njerëzit filluan të bertisnin për shkak të barutit flaka u përhap me shpejtësi dhe ika me vrap. Më pas aty kam mësuar se bëheshin saldimet e karrocave të dorës nga Qemal Deliu. Kam parë Qemalin që atë ditë ka dal dy-tre herë jashtë për të salduar karroca dhe të gjitha levizjet bëheshin me lejen e përgjegjësit. Emrin e tij, Qemalit e kam mësuar pas shpërthimit sepse nuk e njihja pasi kisha vetëm dy ditë që punoja në fabrikë.
Më herët dëshmuan edhe bashkëshortët Feruzan e Zamira Durda.
Zamira: Unë mendoj që ky është një krim shtetëror dhe Mediu ishte pjesë e shtetit. Përgjegjës për shpërthimin në Gërdec është e gjithë piramida shtetërore.
Në fund Zamira Durda i kërkoi gjykatës t’i jepte përgjigje përse fëmija i saj nuk jeton më. Madje ajo dorëzoi edhe dy fletore shkrimi të djalit të saj Erison Durda, që humbi jetën nga shpërthimi.