Në një ditë të nxehtë në fillim të gushtit, një burrë rreth të 50-ave rrëmon në kazanët e plehrave pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kërkim të mbetjeve të plastikës. Por në vend të tyre, ai thotë se has shpesh mbetje anatomike të rrezikshme, që flaken aty pas ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale. “Këtu kanë hedhur kuti me shiringa, serume, fasha me gjak dhe organe njerëzish,” tha burri, duke shtuar se mbetje të tilla ishin shtuar kohët e fundit. “Kur më shohin infermieret më bërtasin, më thonë ‘mos i hap ato se nuk ka gjë’,” shtoi ai. Mbetjet spitalore konsiderohen mbetje të rrezikshme në Shqipëri dhe grumbullimi, transporti, trajtimi dhe asgjësimi përfundimtar i tyre përbën një sfidë serioze për mjedisin dhe shëndetin publik.
Hedhja në kontejnerët e mbetjeve urbane përbën një shkelje të rëndë, por ky nuk është problemi i vetëm në zinxhirin e trajtimit të tyre. Ndërsa shumica e mbetjeve spitalore në Shqipëri trajtohen përmes sterilizimit dhe incenerimit, për vite me radhë kanë munguar të dhënat se ku përfundonte hiri që mbetej pas djegies së tyre. Sipas legjislacionit në fuqi, hiri duhet analizuar dhe nëse testet vërtetojnë se ai nuk paraqet rrezikshmëri mund të depozitohet në landfille të zakonshme. Në të kundërt, hiri duhet të depozitohet në landfille për mbetje të rrezikshme.
Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se hiri i mbetjeve spitalore deklarohet në të gjitha rastet si tepricë e parrezikshme dhe depozitohet në landfillet e mbetjeve urbane.
Vetëm në landfillin e Elbasanit, ku ngrihet tashmë një mal me plehra si pasojë e problemeve të mbartura me inceneratorin, depozitohen mesatarisht çdo muaj rreth 2.9 ton hi nga djegia e mbetjeve spitalore nga kompanitë e licensuara për trajtimin e tyre. Kompania Eco-ELB që menaxhon landfillin e Elbasanit pretendon se e pranon hirin në përputhje me lejen e vet mjedisore, ndërsa shton se nuk ka hasur në asnjë rast mbetje të rrezikshme. Por ekspertët e mjedisit theksojnë se mbetjet e hirit duhet t’u nënshtrohen analizave të hollësishme, përpara se të groposen në landfill.
“Mbetjet spitalore kategorizohen te mbetjet e rrezikshme dhe duan trajtim të veçantë, i cili përtej dhe përveç incenerimit, kërkon trajtim të kujdesshëm edhe për hirin që mbetet pas djegjes së këtyre mbetjeve,” thotë Mihallaq Qirjo, drejtues i organizatës mjedisore REC Albania. “Kur sasia e metaleve të rënda është shumë e lartë, ato kalojnë në ekosistem përmes tokës apo ujit dhe me shumë gjasë ato fillojnë të ndjekin rrugën e mbetjes në zinxhirin ushqimor…,” shtoi ai.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk iu përgjigj pyetjes direkte të BIRN nëse ekzistojnë landfille të licensuara për trajtimin e hirit, por ia ngarkoi këtë përgjegjësi kompanive private. “Hiri që del nga incenerimi duhet të analizohet dhe të klasifikohet se çfarë kodi është sipas katalogut të mbetjeve. Më pas, kompanitë duhet të kërkojnë nëse ka landfill për t’i depozituar ato ose kompani të pajisura me licence III.2.B që i transferojnë këto kode,” tha AKM në një përgjigje me shkrim.
Asnjë gram hi”
Biznesi i trajtimit të mbetjeve ka si udhërrëfyes Katalogun e Mbetjeve – një dokument i miratuar për herë të parë në vitin 2005 dhe i përditësuar përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave në qershor të vitit 2021.
Dokumenti përcakton kode dyshifrore për sektorët ekonomikë, kode 4-shifrore për nënkategoritë dhe kode specifike 6-shifrore përmes së cilave identifikohet përmbajtja e mbetjeve.
Mbetjet spitalore klasifikohen në kapitullin 18, ndërsa mbetjet nga impiantet e trajtimit të mbetjeve të tilla se hiri klasifikohen me kodin 19. Më pas, ato ndahen në nënkategorinë 19 01 “mbetje nga incineratorët dhe piroliza e mbetjeve”, që duhen specifikuar gjithashtu hira fundore që përmbajnë substanca të rrezikshme [19 01 11*] dhe hira fundore që nuk përmbajnë substanca të rrezikshme [19 01 12]. Kërkimet për një landfill të licensuar të trajtimit hirit që përmban substanca të rrezikshme e çuan BIRN në fshatin Manskuri të njësisë Rrashbull në periferi të Durrësit, ku ndodhet një park industrial i administruar nga kompania koncesionare “Brema Ambiente”.
Administratori i kompanisë, Selim Bregu i tha BIRN se kishte lidhur marrëveshje me disa kompani të trajtimit të mbetjeve spitalore, por u ankua se hiri nuk depozitohej në landfillin e tij. Kjo reportere ishte e pranishme në një takim që Bregu pati me inxhinierin e mjedisit të njërës prej kompanive të trajtimit të mbetjeve spitalore, që kërkonte me ngulm një vërtetim të depozitimit të hirit për ta dorëzuar si dokument në një tender.
Bregu u interesua të dinte se ku e kishte depozituar kompania në fjalë hirin, përpara se ta përcillte duarbosh inxhinierin e mjedisit. “I kemi trajtuar siç duhet dhe i kemi çuar në landfillin e Elbasanit me kodin 19 01,” u përgjigj ai. Lidhja e marrëveshjeve me landfille të licensuara është një kusht për kualifikimin në tendera të kompanive të trajtimit të mbetjeve spitalore dhe dokumentet fiktive duken një praktikë e zakonshme në këtë biznes. Por Bregu i tha BIRN se nuk kishte ndërmend të toleronte.
Vendosa të mos ua rinovoj kontratën, sepse nuk kanë sjellë asnjë gram hi. Nuk e di ku e kanë çuar,” shtoi Bregu. V.A.L.E Recycling është njëra nga katër kompanitë fituese të tenderave publikë për trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve spitalore në Shqipëri. Administratori i saj, Elvis Miri i tha BIRN se hirin e kishte depozituar te landfilli i Elbasanit, i bindur se kjo mbetje nuk përmban substanca të rrezikshme.
“Hiri nuk është i rrezikshëm, se ne i djegim në temperatuar që kalojnë 900 gradë. Plus që ne e kemi në legjislacionin tonë që ne të vdekurit i groposim, kështu që nuk kanë rrezik,” tha ai për BIRN. Miri u ankua nga ana e tij për probleme të shumta në këtë biznes, përfshi edhe kushtet për trajtimin e hirit. “Sasia e hirit që prodhojmë është shumë e vogël, kështu që ne e depozitojmë në disa fuçi metalike ose plastike. Na duhet shumë kohë deri sa të bëjmë një sasi që t’a vlejë që ta transportojmë për në landfill,” shtoi ai.
Tendera të kontestuar
Spitalet publike dhe ato private raportuan së bashku 1337ton mbetje të rrezikshme spitalore në Ministrinë e Shëndetësisë sipas raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2021. Më shumë se gjysma e mbetjeve spitalore gjenerohen në Tiranë, ku janë raportuar rreth 707 mijë kg, e ndjekur nga Korça me 191 mijë kg dhe Shkodra me 159 mijë kg.
Përgjithësisht, raporti i sasisë së hirit llogaritet sa 5 për qind e sasisë së mbetjeve që trajtohen përmes incenerimit. Në Shqipëri, mungojnë të dhënat për sasinë vjetore të hirit që gjenerohet nga kompanitë e trajtimit të mbetjeve spitalore.
Laert Shehu, një ekspert i vlerësimit të ndikimeve në mjedis, i tha BIRN se situata me trajtimin e mbetjeve spitalore ka shënuar përmirësim në krahasim me të kaluarën dhe shumë prej kompanive në këtë biznes përdorin teknologji të avancuara. “Por jo për të gjithë mund të flasim në këtë mënyrë, pasi kemi parë nga media që digjen në kosha, hidhen gjithandej dhe vazhdon abuzimi, por jam i bindur që është në nivele shumë më të ultëa se sa ka qënë më parë,” tha ai.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, 16 kompani private janë të pajisura me leje mjedisore të Tipit A apo licensë III.2.B. për trajtimin ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore. Megjithatë, vetëm katër prej tyre fitojnë rregullisht tenderat për evadimin e mbetjeve nga spitalet kryesore të vendit.
Të dhënat e pjesshme që BIRN siguroi përmes kërkesave për të drejtë informimi nga 14 spitale universitare dhe rajonale të vendit tregojnë se kostoja mesatare për trajtimin e 1 kilogrami mbetje spitalore varionte nga 350 në 450 lekë. Ndërsa kompanitë që fitojnë rregullisht tenderat janë Eco Riciklim, V.A.L.E Recycling, Medi- Tel dhe më pak Pura Medical.
Të gjitha spitalet publike në vend kanë shpenzuar së bashku rreth 900 milionë lekë për trajtimin e mbetjeve të tyre spitalore në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave të agreguara nga Open Spending – një faqe e organizatës Instituti Shqiptar i Shkencës që promovon të dhënat e hapura. Eco Riciklim është kompania që ka fituar tendera në vlerë më të madhe të llogaritur në 425 milionë lekë, e ndjekur nga Medi -Tel me 255 milionë, V.A.L.E Recycling me 150 milionë lekë dhe Pura Medical me 53 milionë lekë.
Tenderat për trajtimin e mbetjeve spitalore janë gjithashtu ndër më të kontestuarit, sipas të dhënave që BIRN siguroi nga vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik. Në disa vendime të analizuara, kompanitë ankohen shpesh për kritere penalizuese apo favorizuese për konkurrentët nga ana e spitaleve, ndërsa në një rast, kontestimi lidhej drejtpërdrejt me kontratën e depozitimit të hirit në landfillin e Elbasanit.
Për problemet me tenderat ankohet edhe administratori i kompanisë V.A.L.E Recycling, Elvis Miri. “Kemi problematika nga më të ndryshmet, na ka ardhur në majë të hundës si funksionon këtu. Nëse e nisim nga tenderat, gjithmonë bëhen favorizime për kompani të caktuara dhe është shumë e vështirë,” tha Miri. Tre kompanitë e tjera të trajtimit të mbetjeve spitalore nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të BIRN.
Loja me kodet
Landfilli dhe inceneratori i trajtimit të mbetjeve në Elbasan u ndërtuan përmes një kontrate koncesionare të qeverisë shqiptare, që çoi në dënimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për veprat penale të korrupsionit. Pronarët e kompanisë koncesionare “Albtek Energy” Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja si dhe nënkontraktori Klodian Zoto u dënuan gjithashtu për korrupsion dhe ndodhen prej më shumë se një viti në arrati. Pas sekuestrimit nga Prokuroria e Posaçme, landfilli dhe incineratori i Elbasanit kaloi nën administrimin e kompanisë publike Eco-Elb, që zotërohet nga bashkitë e qarkut të Elbasanit.
Kur Eco-Elb e mori në administrimin incineratorin e Elbasanit, situata ishte emergjente dhe një mal me plehra ishte krijuar në landfill. Ekspertët e konsiderojnë këtë venddepozitim “një hotspot të ri mjedisor” në Shqipëri.
Pavarësisht situatës me mbetjet urbane, kompania Eco- Elb i tha BIRN se kishte pranuar mbetje të hirit nga kompanitë e trajtimit të mbetjeve spitalore në përputhje me lejen mjedisore që dispononte. Kompanitë që kishin depozituar mbetje të tilla ishin Eco Riciklim me një sasi mesatare mujore prej 0,18 ton; Pura Medical me 2.3 ton; Medi -Tel me 0.19 ton dhe Vale Recycling me një sasi mesatare mujore prej 0.24 ton.
Kompania tha se i pranonte mbetjet me kodin 19 01 dhe me përshkrimin “Mbetje nga iceneratorët ose piroliza e mbetjeve”. “Shoqëria Eco-Elb sh.a me personat përgjegjës për pritjen dhe verifikimin e ngarkesave nuk kanë konstatuar ndonjëherë mbetje të rrezikshme spitalore, pasi çdo subjekt depoziton mbetje hiri sipas kontratës,” tha Eco-Elb.
“Çdo 3/6 muaj i kërkohet fletë-analiza sipas legjislacionit, që e dorëzojnë edhe në institucionet që bëjnë të mundur menaxhimin e situatës mjedisore,” shtoi kompania. Por eksperti Laert Shehu i tha BIRN se landfillimi i hirit me kodin 4-shifror nuk është një proces i saktë, për më tepër që landfilli i Elbasanit është licensuar për të pranuar mbetje vetëm nga qarku i Elbasanit.
Përdorimi i kodit katër shifror është njësoj si të përdorësh mbiemrin për identifikim, por jo emrin. Pra mund të themi mbiemrin, por nuk e dimë se cili nga anëtarët e familjes është,” tha Shehu, ndërsa shtoi se specifikimet duhet të jenë sipas kodit 6-shifror. Shehu shpjegoi gjithashtu se impiantet e avancuara bëjnë një përshkrim të mbetjes që del dhe në varësi të këtij përshkrimi përcaktohet edhe mënyra e trajtimit.
“Kryesisht ato spitalore çohen për asgjësim me groposje në landfill, por mund të çohen edhe për incenerim, sepse ka mbetje që kanë në përbërje mbetje organike dhe janë të djegshme,” shtoi ai. Ekspertët përmendin edhe faktorë të tjerë që e bëjnë situatën e trajtimit të hirit të paqartë, që sipas Qirjos nga REC Albania, lidhet me mungesën e laboratorëve të certifikuar. “Mungesa e laboratorëve të certifikuar për cilësinë e hirit dhe për përmbajtjen e metalit në vendin tonë e bën të panjohur cilësinë e këtyre hireve dhe për rrjedhojë, kemi mungesë të theksuar të të dhënave mbi sasinë, cilësinë dhe mënyrën e trajtimit të këtyre mbetjeve të rrezikshme,” përfundoi ai.BIRN