Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.
Në vendimin e arsyetuar, gjykata çmon se marrëveshja “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” është në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.
Kushtetuesja sqaron në arsyetimin e saj se palët e përfshira në këtë proces kanë dërguar provat për pretendimet e tyre, lidhur me rrëzimin apo miratimin e marrëveshjes, ndërkohë institucioni i Presidentit edhe pse është njoftuar nuk ka shprehur asnjë qëndrim.
Pavarësisht se kjo marrëveshje është në fuqi, 4 prej anëtarëve të gjykatës kanë qenë kundër, duke arsyetuar dhe votën e tyre.
Anëtarët që kanë votuar kundër janë Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska dhe Elsa Toska. Vendimi i GJK i është përcjellë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave. Marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë u dërgua në gjykatë nga deputetët e opozitës.