Ndonëse prej javësh negociatat për rinovimin e kontratës mes Sergio Ramos dhe Real Madridit janë ndërprerë, ngjarjet mund të marrin një kthesë të papritur dhe futbollisti mund të mbetet ende në kryeqytetin spanjoll.

Lajmi raportohet nga mediat spanjolle, sipas të cilave mbrojtësi veteran, që mban edhe shiritin e kapitenit te “Los Blancos”, por edhe te kombëtarja e Spanjës, po merr në konsideratë ofertën e klubit, që parashikon rinovimin e kontratës me ulje page.

Ramos mësohet se ka udhëzuar menaxherin e tij që të negociojë sërish me presidentin Florentino Perez dhe të pranojë ofertën për reduktim page, por me kushtin që kontrata e re të ketë vlerë deri në verën e 2023-shit, pasi mbrojtësi synon të marrë pjesë edhe në Botërorin e Katarit më 2022-shin.

Pak javë më pare, 35-vjeçari Sergio Ramos refuzoi të ulë pagën dhe paralajmëroi se do të largohej nga “Santiago Bernabeu”, por duket se mungesa e ofertave joshëse nga klube të tjera europiane ka bërë që të tërhiqet pas.

Nëse palët do të arrijnë të firmosin bashkëpunimin e ri, atëherë Ramos do të mbyllë karrierën pikërisht te Real Madrid, fanellën e të cilit e vesh për të 16-tin sezon radhazi, që kur u transferua nga Sevilla në verën e 2005-ës.

Ai numëron 670 ndeshje me fanellën “Los Blancos” me 101 gola të shënuar, ndërsa vlen të theksohet, se gjatë këtyre viteve ka mundur të fitojë minimalisht një herë të gjithë trofetë e mundshëm për klube.

(E.H/Faxweb.al)