Adoleshentët që e pinë kanabisin kanë 11 herë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme të shëndetit mendor sesa ata që nuk e pinë, kjo sipas një studimi të botuar në revistën Psychological Medicine.
“Lidhja midis kanabisit dhe çrregullimeve psikotike mund të jetë më e fortë se sa sugjeron hulumtimi i mëparshëm, i cili bazohej kryesisht në të dhëna më të vjetra kur kanabisi ishte më pak efektiv se sa është sot”-thanë studiuesit, duke paralajmëruar se adoleshentët janë veçanërisht të prekshëm ndaj efekteve të kanabisit.
Shkencëtarët shqyrtuan të dhënat e mëparshme mjekësore nga Universiteti i Torontos, Qendra për Varësinë dhe Shëndetin Mendor dhe ICES. Bëhet fjalë për të dhëna për 11 mijë adoleshentë nga Ontario, ku janë marrë në konsideratë edhe të dhënat për shtrimet e tyre, thirrjet e urgjencës dhe informacionet për vizitat ambulatore të mjekëve. Ata thonë se hulumtimi i tyre është i pari që sugjeron një lidhje midis përdorimit të kanabisit tek adoleshentët dhe diagnozave të mëvonshme të çrregullimeve psikotike.
“Ne gjetëm një lidhje shumë të fortë midis përdorimit të kanabisit dhe rrezikut të zhvillimit të çrregullimeve psikotike në adoleshencë. Ne ishim të befasuar sepse nuk gjetëm prova të një lidhjeje të tillë mes njerëzve në moshë madhore”-tha një nga pjesëmarrësit në studim, Andre Macdonald.
Ndërkaq, miliona amerikanë thonë se po konsumojnë marijuanë në baza ditore apo gati çdo ditë, sipas analizës së të dhënave të një ankete kombëtare. Numri i njerëzve që konsumojnë marijuanë, sipas këtij studimi, tashmë tejkalon numrin e atyre që konsumojnë pije alkoolike çdo ditë. Alkooli ende ka një konsum të gjerë, por viti 2022 shënoi herën e parë që kur konsumimi i marijuanës tejkaloi atë të konsumimit të përditshëm të alkoolit, thotë autori i studimit Jonathan Caulkins nga Universiteti Carnegie Mellon./Tar