Babë e bir kanë rënë në pranga pasi dyshohen si bashkëpunëtorë të autorit të vrasjes së një 72-vjeçari, i cili u gjet i vdekur në anë të një përroi në Memaliaj.
Policia bën me dije se si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor dhe të drejtuara nga Prokuroria e Gjirokastrës me prokurorin e çështjes Bledar Bala, vihen në pranga 2 shtetas, babë e bir.
Njëri nga të arrestuarit, bashkëpunëtor për kryerjen e vrasjes, ndërsa djali i tij ka përkrahur autorin e krimit.
Ndërkaq, vijon intensivisht puna për vënien në pranga të autorit tjetër të vrasjes, i cili u identifikua që dje nga Policia, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura gjenealitetet e tij.
Në vijim të veprimeve profesionale dhe të shpejta hetimore, të kryera nga një grup i posaçëm hetimor, menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë të shtetasit F. A., 72 vjeç, rreth orës 06:40, të datës 20.08.2024, në përroin e fshatit Zhapokikë, shtetas i cili dyshohet se është vrarë me mjet prerës, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestoi në flagrancë shtetasit:
-S. A., 71 vjeç, banues në fshatin Zhapokikë 2, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
-B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Zhapokikë 2, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 71-vjeçari ka organizuar dhe ka qenë aktiv në bashkëpunim me autorin tjetër në vrasje si dhe ka ndihmuar autorin e vrasjes, duke i siguruar kushte për të kryer këtë krim, ndërsa 43-vjeçari, duke mos kallëzuar këtë krim për të cilin dyshohet se kishte dijeni, ka përkrahur autorin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel