Tre shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht janë ekstraduar në Turqi dhe Itali
Nga këta të tre, një është ekstraduar në Turqi, i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, për 3 vepra penale, ndërsa dy të tjerët në Itali, njëri i akuzuar për grabitje me armë, me pasojë, ndërsa tjetri i akuzuar për shfrytëzim për prostitucion dhe për kanosje.
Si rezultat i koordinimit të punës dhe bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe strukturave homologe në Turqi dhe në Itali, u finalizuan procedurat për ekstradimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Konkretisht:
-u ekstradua në Turqi, shtetasi turk Koray Anic, 36 vjeç, pasi Gjykata e Stambollit, në vitin 2024, e ka dënuar me 4 vjet, 6 muaj e 5 ditë burgim, për rrëmbim, posedim të armëve të zjarrit dhe armëve shpërthyese dhe për kanosje;
-u ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar M. L., 27 vjeç, i lindur në Dibër, pasi Gjykata e Torinos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për grabitje me armë, me pasojë. Në vitin 2021, 27-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri pronarin e një banese në Itali, ku kishte hyrë për të vjedhur, së bashku me shtetas të tjerë;
-u ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar A. A., 49 vjeç, i lindur në Skrapar, pasi Gjykata e Komos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shfrytzim për prostitucion dhe për kanosje.
Operacioni “Para drejtësisë” vijon.
Top Channel