Prokuroria e Posaçme ka nisur edhe një hetim për dekonspirim të operacionit që u organizua për goditjen e bandës së dy vëllezërve Çopja në Elbasan. Mësohet se shënjestër e SPAK është dhe Policia e Shtetit dhe drejtuesit që kanë pasur dijeni për operacionin janë marrë në pyetje nga hetuesit. 

Bëhet me dije se se gjatë muajit gusht është marrë në pyetje edhe ish-kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, drejtori i Operacionales, Vilson Bala, drejtori i departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, Edmond Rizai, që drejton sot Drejtorinë e Hetimit në Policinë e Shtetit dhe Ilir Prodën drejtorin e Policisë së Elbasanit, për të cilin dje u raportua se i është sekuestruar edhe telefoni. Ky i fundit është në garë edhe për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas dorëheqjes së Rrumbullakut. Po ashtu dje u mësua se në hetim janë vënë edhe 10 agjentë policie dhe hetues të BKH.

Lidhur me operacionin, nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, u ekzekutuan vetëm 13, dy prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale teksa disa prej këtyre mbeten në arrati. Vëllezërit Franc e Hajdar Çopja dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale (Çopja dhe Alibej), me qëllim sundimin e trafikut të kokainës. Hetimi nisi në vitin 2022 iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani.-dosja.al