Një shpërthim ka ndodhur gjatë mesnatës në afërsi të një pike karburanti në qendër të Zveçanit, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit. Një granatë dore është hedhur në Zveçan, në një karburant të hapur, duke dëmtuar kështu tre makina dhe objektet përcjellëse të karburantit. Kjo është konfirmuar për A2 CNN nga zv.drejtori i Policisë së Kosovë për rajonin e veriut, kolonel Veton Elshani.
Sipas tij nga ky shpërthim nuk ka të lënduar, përveç dëmeve materiale. Elshani tha se ende nuk dihen shkaqet e këtij shpërthimi.
“Rreth mesnatës në hapësirën e karburanti e cila është në qendër të Zveçanit ka ndodhur një shpërthim. Nga ky shpërthim nuk ka të lënduar, ndërsa ka pas dëme materiale në ndërtesën e karburantit dhe disa vetura në afërsi. Nuk mund të themi ende se çfarë e ka shkaktuar këtë shpërthim, ndërsa njësitet e specializuara të policisë janë duke vazhduat hetimet”, ka deklaruar Elshani.
Një rast si ky nuk është i rrallë në veriun e Kosovës në vitet e fundit. Tensionet në këtë pjesë të vendit kanë qenë kryesisht të larta në muajt e fundit, për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në atë pjesë. (A2 Televizion)