Grupi Parlamentar i Partisë Demokratë njoftoi të mërkurën se ka bërë kallëzim penal ndaj 73 deputetëve të Partisë Socialiste për pengimin e ekzekutimit të dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Në padinë e dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, përfshihet kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kreu i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi si dhe disa ministra për kryerjen e dy veprave penale.
73 deputetët e Partisë Socialiste akuzohen se kanë konsumuar në bashkëpunim veprat penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës”, parashikuar në nenet 320 dhe 320/a të Kodit Penal.
“Ky veprim përbën jo vetëm minim të demokracisë dhe rrënim të besimit të qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, por gjithashtu edhe veprim të kundërligjshëm që dënohet nga Kodi Penal,” njoftoi PD-ja.
Në kallëzimin e tyre, PD i referohet ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” ku specifikohet se vendimet e kësaj gjykate “janë të detyrueshme për zbatim” dhe se moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të tyre “dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal”.
Po ashtu, ata i referohen edhe Kodit Penal ku neni 320 parashikon se kryerja e veprimeve të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
“Neni 320/a i Kodit Penal parashikon se mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, dhe kur kjo vepër kryhet për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet,” argumenton grupi demokrat.
Sipas PD-së, deputetët e PS-së kanë kryer veprime aktive me qëllim që të mos ekzekutohet apo pengohet ekzekutimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me qëllimin final të favorizimit të koleges së tyre deputete.
PD ka dorëzuar në prokurori praktikën e plotë shkresore që sipas saj provon kryerjen e veprave penale.
Në seancën e datës 13 shtator mazhoranca socialiste rrëzoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e detyronte Kuvendin të dërgonte për interpretim mandatin e deputetes Xhaçka, ndaj së cilës ka indicie se ka shkelur Kushtetutën pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik”.
Shumica e deputetëve socialistë (65) abstenuan, ndërsa 9 votuan kundër duke bërë që mocioni të mos merrte votat e mjaftueshme për t’u miratuar pavarësisht 25 votave pro të opozitës.
Kjo ishte hera e dytë që mazhoranca në pushtet doli kundër Gjykatës Kushtetuese, përkundër konstatimeve të gjykatës se këto qëndrime “cënojnë themelet e shtetit” dhe janë “shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Përfaqësuesit e PS-së e mbrojtën qëndrimin e tyre si një rast i veçantë i marrëdhënies mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, ku kishte “paqartësi juridike” në vendimet e gjykatës dhe vendosën ta dërgonin përplasjen me Gjykatën Kushtetuese për ‘opinion’ në Komisionin e Venecias.