Gjykata e Lartë do të shqyrtojë nesër kërkesën e avokatëve të ish deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji për pezullimin e vendimit të gjykatës së Apelit që la në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin e tij me një vit burgim.
Në prag të seancës së nesërme avokatët e Salianjit kanë bërë parashtrimet shtesë ku kërkojnë pezullimin e vendimit “derisa të ketë një shqyrtim të plotë dhe të drejtë të çështjes. Pezullimi është i domosdoshëm për të garantuar një proces të drejtë, për të mbrojtur të drejtat kushtetuese dhe konventore të Salianjit, dhe për të siguruar që demokracia dhe përfaqësimi politik të mos dëmtohen nga një vendim i paarsyetuar dhe disproporcional”.
Avokatët e Salianjit pretendojnë se në vendimin e Apelit është shkelur parimi i proporcionalitetit të dënimit. Sipas tij çdo ndëshkim apo masë kufizuese e lirive të garantuara duhet të jetë e balancuar, e arsyeshme dhe të përputhet me qëllimin për të cilin është aplikuar.
“Dënimi me një vit burg për veprën penale të “Kallëzimit të Rremë”, në rastin e deputetit Ervin Salianji, përbën një shkelje të parimit të proporcionalitetit, pasi ky dënim është dukshëm i tepruar në raport me natyrën e veprës penale dhe rrethanat e çështjes. Për më tepër, ai nuk përmbush asnjë funksion të parandalimit të përgjithshëm apo parandalimit të posaçëm, duke e bërë ekzekutimin e tij të padrejtë dhe të paligjshëm”, thuhet në parashtrimet e avokatëve të ish deputetit demokrat.
Një tjetër nen i kushtetutës që është shkelur, sipas avokatëve të Salianjit, është neni 22 si dhe neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për lirinë e shprehjes.
“Rasti i denoncimit të kryer nga Ervin Salianji, në cilësinë e tij si deputet, bie plotësisht nën mbrojtjen e këtyre dispozitave. Aktiviteti i tij i denoncimit të një çështjeje me interes publik mbështetet nga parimet themelore të lirisë së shprehjes, dhe ndëshkimi i tij penal për një veprim të tillë përbën një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes, në kundërshtim me Kushtetutën dhe KEDNJ-në”.
Pala e ish deputetit Salianji vlerëson gjithashtu se ekzekutimi i vendimit të Apelit për vuajtjen e dënimit me burg cenon gjithashtu procesin zgjedhor në vend.
“Ekzekutimi i një dënimi të tillë penal në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 krijon një ndërhyrje të padrejtë në procesin zgjedhor, duke ndaluar kandidimin dhe fushatën e një deputeti aktiv. Ky ndëshkim prek të drejtën e tij për të kandiduar dhe për të marrë pjesë në procesin politik si përfaqësues i një pjese të rëndësishme të elektoratit. Çdo veprim që ndërpret mundësinë e kandidimit të një deputeti të zgjedhur, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar, është haptazi joproporcional, dhe është një sulm mbi demokracinë dhe lirinë e zgjedhjeve”, shkruajnë avokatët e Salianjit.
Çështja me gjyqtar relator Sokol Binaj dhe është planifikuar për t’u gjykuar në dhomë këshillimi në datë 15.10.2024, ora 13:20.
Top Channel