ELBASAN

Një konflikt i vjetër për motive të dobëta, duket se ka qenë shkak i ngjarjes së rëndë në Elbasan. Policia ka dhënë detaje për atentatin me eksploziv që i mori jetën 25-vjeçarit Kristi Balukja.

Sipas burimeve zyrtare, në vijim të informacionit të dhënë mëngjesin e sotëm, ku si pasojë e shpërthimit të lëndës eksplozive, gjatë vënies së saj, në automjetin tip “Volkswagen” në pronësi të shtetasit Renato Çepa, në lagjen “Shënkoll”, ishte dëmtuar autori, i cili humbi jetën në spital, ju informojmë se pas verifikimeve të kryera, është identifikuar ky shtetas, konkretisht Kristi Balukja, 25 vjeç, banues në Elbasan.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se 25-vjeçari, për shkak të një konflikti të vjetër, për motive të dobëta, mëngjesin e sotëm, ka vënë lëndë eksplozive në automjetin e shtetasit Renato Çepa.

Lënda eksplozive ka shpërthyer gjatë vënies dhe si pasojë 25-vjeçari ka humbur jetën, në spital.

Një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Komisariatit të Policisë Elbasan, si dhe nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën pët të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti.