Një raport i Bankës Botërore për vendet në zhvillim ku përfshihen 19 të tilla që nga Azia Qëndrore deri në Ballkan tregon se shtetet që kanë një përqindje të vogël të popullsisë me arsim të lartë kanë edhe emigrimin më të lartë të trurit. Shqipëria ka 13% të popullsisë me arsim të lartë, në një kohë që 45% e tyre kanë emigruar.

Sociologu Gëzim Tushi u shpreh: Shifra më duket pak e ekzagjeruar, megjithëqë është e dhënë nga Banka Botërore, por unë nuk besoj që është 45% e të arsimuarve që janë larguar. Por nuk ka rëndësi kjo. Rëndësi ka që trendi I largimeve nga Shqipëria vazhdon, fakti që manjeti, tërheqja e Perëndimit është e fortë, për shkak të pagave, kushteve të mira të jetesës, të inkorporimit më të lehtë në tregun e punës, të kushteve për familjen, por progresin, për strehimin janë më të lehta. Të gjitha këto bëjnë që një pjesë e intelektualëve të vazhdojnë të largohen nga Shqipëria.  Kjo do të thotë që ne të keqen e këtij paradoksi duhet ta kërkojmë tëk vetja.

Ajo që duhet të bëjmë urgjent për ta frenuar largimin e trurit është që të bashkojnë shkollën, arsimin, universitetin me tregun e punës, me industrinë, siç edhe bëjnë vendet e botës së zhvilluar. Kompani në Mbretërinë e Bashkuar apo në SHBA, i monitorojnë studentët që në procesin e studimit, pikasin ata persona që kanë talent dhe që janë premtues, që nesër t’i angazhojnë në tregun e punës.

Natyrisht edhe reforma e pagave është e domosdoshme, përmirësimi I shërbimeve arsimore, shëndetësore dhe të shërbimeve të tjera komplementare, në mënyrë që njerëzit të ndjejnë që edhe këtu jetohet dhe ajo sintagma e shëmtuar që qarkullon akoma në Shqipëri, që duhet ikur nga ky vend se këtu nuk jetohet, të dobësohet gradualisht, por kjo nuk bëhet me frymën e shenjtë, por ajo bëhet me politika për ta demotivuar në njëfarë mënyrë këtë emigracionin elitar.