Shqipëria po thinjet me shpejtësi. Dekadat e fundit, një e treta e popullsisë, kryesisht të rinjtë, janë larguar nga vendi. 38 vjeç ka arritur mosha mesatare e popullsisë shqiptare ku në spitale e qendra shëndetësore dominojnë të moshuarit, me mbi 60% të problematikave shëndetësore, transmeton A2.

Por pas 10-20 vitesh edhe në rrugë do të ketë më shumë banorë të thinjur se sa të rinj e fëmijë.

Referuar projeksioneve demografike të shoqërisë shqiptare, ekspertët e shëndetit publik  parashikojnë një valë të madhe nevojash që do të vijë nga popullata e plakur.

Për Alban Yllin, Shqipërisë i duhet një plan i ri për moshimin, ku spitalet dhe azilet nuk janë zgjidhje për kujdesin ndaj tyre. Shtëpia është vendi ku ata duhet të marrin mbështetje dhe trajtim edhe nga institucionet shtetërore, raporton A2.

Ekspertët e Shëndetit Publik vënë theksin tek edukimi shëndetësor i shoqërisë shqiptare. Për një pleqëri pa probleme dhe barrë të madhe të paaftësisë, edukata për kujdesin shëndetësor duhet të nisë nga 40-vjeçarët e sotëm. Nga censusi i fundit është vënë re një përmirësim i kujdesit të të moshuarve për shëndetin e tyre, ku 19% vetëdeklarojnë një paaftësi, nga 23% që ka qenë në censusin e kaluar