Dalta e drugdhendësit godet ritmikisht copëzën e drurit, ndërsa mbi të ka nisur të ravijëzohen format e një bredhi, simbolikës së festave të fundvitit.

Përgjatë këtyre ditëve festive mjeshtri drugdhendës Anastas Petridhi ka përgatitur një sërë suveniresh karakteristike, me motive nga festat e fundvitit.

Gjithashtu edhe  artizania Lizeta Hatika shprehet se gjatë këtyre ditëve ka realizuar punime të larmishme, për zbukurimin e mjediseve familjare.

Natyrshëm suvenireve karakteristikë të realizuara gjatë festave të fundvitit, nga artizanët në Gjirokastër, nuk kanë si t’i mungojnë punimet në gurgdhendje.

Falë punës dhe talentit të artizanëve gjirokastritë, suveniret karakteristikë të përgatitur prej tyre, tashmë janë pjesë e atmosferës së festave dhe një tërheqje e këndshme për turistët, që vizitojnë në këtë fundviti Gjirokastrën.