I veshur me një kostum blu të errët, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe, ish-presidenti amerikan Donald Trump doli përpara mediave në Shtëpinë e Bardhë për të komentuar një aksident tragjik nga rrëzimi i avionit në Uashington, duke kërkuar një moment heshtjeje për viktimat.
“Unë po ju flas këtë mëngjes në një orë ankthi për kombin tonë,” tha Trump. Ai konfirmoi se nuk kishte të mbijetuar dhe e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur shumë njerëz.
“Nuk ka të mbijetuar. Ne të gjithë jemi të thyer, është një tragjedi me përmasa të tmerrshme”, tha Trump.
Megjithatë, fjalimi i tij shpejt mori një kthesë politike, duke kritikuar administratat e mëparshme për standardet e kontrollorëve të trafikut ajror. Trump akuzoi ish-presidentët Barack Obama dhe Joe Biden për rekrutime bazuar në diversitet dhe përfshirje, duke e quajtur ish-sekretarin e transportit Pete Buttigieg një “katastrofë”.
Ndërkohë, hetimet për aksidentin vazhdojnë. Të paktën 28 trupa janë nxjerrë nga ujërat e akullta të lumit Potomak, pasi një avion udhëtarësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u përplasën në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan”.